Kryetari i Dragashit, Shaban Shabani mblodhi Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi, diskutohet për parandalimin e coronavirusit raporton televizioni Opoja.
Paraditen e sotme, Kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani ka mbajtur mbledhjen urgjente me anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi me ç’rast pikë kryesore e diskutimit ishte parandalimi i përhapjes së coronavirusit.
Në këtë takim, Kryetari i Komunës Shaban Shabani paraqiti në detaje një raport mbi vlerësimin e kësaj situate dhe veprimet që janë ndërmarrë dhe po ndërmerren nga komisioni koordinues.
Në bazë të rekomandimeve të përgjithshme të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës si dhe Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 01/07 të datës: 11.02.2020 për ndërmarrjen e masave për parandalimin e infeksionit të Corona Virus COVID-19, Komuna e Dragashit njofton të gjithë qytetarët e saj se në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur nga Kryetari i Komunës z.Shaban Shabani me KKSB, është diskutuar për marrjen e masave shtesë me qëllim të parandalimit të infeksionit COVID-19.
Kryetari Shabani paraqiti në detaje angazhimet e përgjithshme të të gjithë akterëve komunal, në theks të veçantë angazhimet e Drejtorisë së Shëndetësisë, Drejtorisë së Arsimit dhe Inspektoratit Komunal si dhe bashkëpunimin shumë të mirë me Policinë e Kosovës, FSK-në, Këshillin e Bashkësisë Islame, Ekoregjionin e Hidroregjionin dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
Gjithashtu kryetari njoftoi se është bërë kërkesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme për mbylljen e përkohshme të pikave kalimtare në Borje dhe Orçushë me Republikën e Shqipërisë nga ku pritet edhe konfirmimi. Ndërsa pika kalimtare në Krushevë mbetet e hapur por e kontrolluar nga personeli mjekësor.
Poashtu, në këtë takim u kërkua që qytetarët të përcjellin me kujdes të shtuar gjendjen dhe të zbatojnë rekomandimet e dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP).