Pas Seancës solemne të mbajtur me rastin e Ditës së Çlirimit të Dragashit, në sallën e Kuvendit të Komunës u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Binjakëzimit ndërmjet Komunës së Dragashit dhe Komunës së Mavrovës dhe Rostushës nga Maqedonia e Veriut.
Kjo marrëveshje u finalizua pasi të dy kuvendet komunale kishin miratuar më herët vendimet për nisjen e procedurave për binjakëzim. Kryetari i Komunës së Dragashit, z. Bexhet Xheladini, falënderoi delegacionin nga Mavrova dhe Rostusha për vullnetin e treguar dhe e cilësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të përbashkët institucional, ekonomik, kulturor e turistik. Përfaqësuesit nga Mavrova dhe Rostusha shprehën vlerësimin e tyre për mikpritjen dhe theksuan rëndësinë e kësaj iniciative për thellimin e bashkëpunimit në të mirë të qytetarëve të të dyja komunave.