Numri i rasteve me kancer është rritur për 4% në krahasim me vitin 2018, pasi janë diagnostikuar rreth 1 mijë e 586 raste të reja me këtë sëmundje gjatë vitit 2019.
Numri i pacientëve që lajmërohen në Klinikën e Onkologjisë sillet mesatarisht rreth 30-35 gra në muaj me kancer të gjirit, që i bie se brenda një viti janë regjistruar rreth 380 raste të reja me kancer të gjirit te femrat e të gjitha moshave.
Kështu u tha në një konferencë të organizuar nga Klinika e Onkologjisë dhe Shoqata e Onkologëve të Kosovës, me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Kancerit, ku u publikuan raporte me statistika rreth kësaj sëmundje.
Drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi, bëri të ditur se kjo klinikë pavarësisht sfidave të shumta që ka hasur, kanë arritur që t’i tejkalojnë dhe të ndihmojnë një pjesë të madhe të pacientëve për ta luftuar këtë sëmundje.
Kryetari i shoqatës së Onkologëve, Arben Bislimi tha se qëllimi i shënimit të Ditës Botërore të Kancerit është zvogëlimi i ngarkesës globale të kësaj sëmundje dhe promovimi i shëndetit.
Bislimi bëri të ditur se,1/3 e kësaj sëmundje mund të parandalohet përmes zbulimit të hershëm.
Bislimi u shpreh falënderues ndaj stafit të onkologjisë, e që sipas tij bëjnë një punë të mrekullueshme për parandalimin dhe shërimin e kancerit.
Pacientja dhe themeluesja e shoqatës për luftë kundër kancerit të gjirit “Jeta vita”, Nafije Latifi, tha se sëmundja e kancerit të gjirit atakon çdo të dhjetën grua.
Latifi ju bëri thirrje të gjitha grave që të paraqitën te mjeku, në mënyrë që të zbulohet sa më herët kjo sëmundje. Ajo theksoi se vetëm zbulimi i hershëm i jep mundësi shërimi.
Ndryshe, qëllimi i Ditës Botërore të Luftës Kundër Kancerit është vetëdijesimi dhe informimi i qytetarëve rreth kësaj sëmundje./KosovaPress/