Rizah Mangjuku: “Dasma pa tupanë është si nusja pa vesh e pa sy, thuhet në popull.
Nga shumica e daullexhinjve që ka Prizreni, Rizah Mangjuku nga Opoja dallon nga të tjerët. Ai thekson, për redaksin e portalit, se këtë zeje e ka trashëgim nga stërgjyshi i tij, kurse zanatin e nisi që në moshën 13-vjeçare,raporton opoja.tv
Dasmat në komunën dhe rrethin e Prizrenit janë të mëdha dhe ato bëhen me daulle. Ato dasma bëhen kryesisht me zurla e tupanë apo lodra, siç kryesisht i quajnë në rajonin e Opojës dhe Vërrinit.
Pra, tupanxhinjtë apo daullexhinjtë janë ata që e kanë rolin kryesor në këto dasma. Rizah Mangjuku është një usta me nam në këtë rajon.
Mangjuku është shprehur për “Kosova Sot” se këtë zeje e ka traditë nga stërgjyshi i tij. “Unë vij nga Opoja dhe këtë zeje e kemi trashëguar. Kjo zeje ka në vete atë që duhet të kesh në dasma, gëzimin edhe shpirtin human e të gëzuar. Edhe po pate vdekje në shtëpi në këtë rast duhet të jesh i gëzuar, sepse dasma e atij që të ka ftuar domosdo se do gëzim familjar”.
Zanati do disponim të madh Mangjuku tregon se gjatë verës ka shumë punë e angazhime dhe varet se merret vesh me të zotët e dasmës për pagesën. Ai tregon se dikur njerëzit u jepnin shumë dhurata. “Tani, ato janë më pak, megjithatë mund të themi se nga ky zanat jetohet mirë. Kërkon disponim të madh, sepse të lodh. Së pari duhet disponim shpirtëror.
Tupani apo lodra, siç e quajmë ne, është jo vetëm një lodër për argëtim, por ai ka edhe një obligim edhe moral se si e merr dhe e trajton atë”, shprehet Mangjuku.
Nga shumica e daullexhinjve që ka Prizreni thuhet se dallohet Rizah Mangjuku nga Opoja. Ai për “Kosova Sot” shprehet se këtë zeje e ka trashëgim nga stërgjyshi dhe më shumë se gjysmë shekulli jetë merret me këtë zanat.
Ai e nisi atë në moshën 13- vjeçare.
Kurse Mentori, një djalosh i ri prizrenas, u shpreh: ” Kur daullexhiu Rizah i bie daulles zgjohet edhe i vdekuri nga varri”.
Dasmat tradicionale ngadalë po zhduken Rizah Mangjuku tregon se ende të vjetrit në Opojë, e jo vetëm në Opojë, e kërkojnë vallen “Kolloçajka”, që është një valle tradicionale e vjetër e burrave e tash kërkojnë edhe valle të reja. “Dasma pa tupanë është si nusja pa vesh e pa sy, është thënë në këto anë”, është shprehur usta Rizah Mangjuku.
Për usta Rizahun flasin njerëzit me respekt, sepse ai thonë e njeh shpirtin e secilit valltar. Dasmës opojare i paraprinin fejesat e djemve dhe të vajzave të kësaj ane. Ato ndodhnin me pëlqimin e djalit dhe të vajzës, si dhe me pajtimin e familjeve të djalit dhe të vajzës.
Gjithmonë fejesat kishin parasysh që të ndodhin në mes familjeve të pasura, të njohura, të afërta, por ajo që dominonte në fejesa ishte ndershmëria e të dy familjeve, si të djalit, ashtu edhe të vajzës, që të jenë familje të oxhakut, familje të ndershme dhe të fisit. Mangjuku shprehet se ende bëhen dasma të mëdha në Zaplluxhe, Blaç, Zgatar, Brrut, Brezne, Buçe që i ndan kufiri me disa vendbanime të rrethinës jugore të Prizrenit, apo Vërri, si në Lybeçevë, Jeshkovë, Hoçë e Qytetit, Zhur ndërmjet të cilave janë evidente edhe migrimet martesore.
Ka pasur shtrirje më të gjerë në Vërri apo edhe e kundërta. Vërrini është i shtrirë në hapësirën e Opojës dhe ka ruajtur fort këto tradita.
Mangjuku tregon se dasmat tradicionale ngadalë po zhduken, por zeja e tupanxhinjve do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ngase, sipas tij, kjo zeje ka shpirt e ka një shpirt të brendshëm që veç ai që di dhe e kupton dhe nderon këtë zeje. Shton se këtë zeje edhe brezat e ardhshëm të kësaj familje do ta trashëgojnë. Familja ia njeh shpirtin kësaj zeje për ta vazhduar më tej.