Studimi më i ri lidhur me strukturën e pagave, për vitin 2018, i bërë nga Zyra Federale e Statistikave (BFS) dhe i publikuar sot, jep të dhëna edhe për dallimet në lartësinë e pagave në mes të vendësve dhe të huajve.

Në ekonominë në tërësi, pagat e shtetasve zviceranë në vitin 2018 ishin më të larta se të huajve që punonin këtu, transmeton albinfo.ch komunkatën e lëshuar nga BFS. Vendësit fitonin mesatarisht 6873 franga në muaj në krahasim me 5886 franga, sa fitonin të huajt.

Ky ndryshim në pagat në favor të punonjësve zviceranë në krahasim me punonjësit e huaj figuron në të gjitha kategoritë e lejeve të qëndrimit të të huajve në Zvicër.

Megjithatë, paga e punonjësve të huaj ishte më e lartë se sa ajo e zviceranëve, për punët që kërkojnë një shkallë të lartë të përgjegjësisë.

Kështu, të punësuarit e huaj ndërkufitarë në Zvicër, ata që bëjnë pjesë në kuadrin e lartë, kanë fituar mesatarisht nga 10 750 franga në muaj, përcjell albinfo.ch. Personat me leje qëndrimi në Zvicër, të po kësaj kategorie janë paguar nga 12 510 franga ndërsa shtetasit zviceranë, më së paku ose 10 138 franga në muaj .

Ndërkaq situata pëmbyset në kategorinë e punonjësve pa shkallë të lartë përgjegjësie. Këtu, zviceranët kanë fituar një mesatare prej 6,260 frangash ose më shumë se sa punonjësit e huaj me statusin e punëtorëve ndërkufitarë (5,699 franga) dhe ata me leje qëndrimi në Zvicër (5,189 franga).