Caktohet takim me banorët e Shajnes: Kryetari siguron që shëndeti dhe ambienti mbeten prioritet

Shpallje & NjoftimeBizneseInstitucione4 ditë më parë274 shikime

Kryetari i komunës, pas shumë reagimeve nga banorët e fshatit Shajne dhe më gjerë, ka organizuar një takim informues që do të mbahet më datën 06.04, në ambientet e shkollës së fshatit Shajne. Ky takim synon të përfshijë të gjithë banorët e këtij fshati dhe të diskutojë në detaje ndërtimin e një fabrike për shkrirjen e xeheve, e cila, sipas kryetarit, pritet të punësojë rreth 250 punëtorë dhe të ofrojë përfitime të shumta të tjera.
Së bashku me njoftimin, kryetari i komunës ka cilësuar një pjesë të reagimeve si propagandë kundër këtij investimi. Ai siguroi se, në asnjë rast, nuk do të merren vendime për asnjë investim që dëmton shëndetin e banorëve ose ndot ambientin.

Më poshtë është artikulli i plotë nga kryetari i komunës:

Të nderuar qytetarë të komunës së Dragashit, e veçanërisht të fshatit Shajne,

Pas publikimit të rendit të ditës së asamblesë komunale, ku njëra nga pikat është dhënia e përkrahjes për fillimin e procedurave administrative për përgatitjen e dokumentacionit për ndërtimin e fabrikës për shkrirjen e FeroKromit, në rrjetet sociale dhe në forma të tjera, shpërthyen propaganda të ndryshme kundër këtij investimi, duke pretenduar se ai do të ndotë ambientin dhe do të dëmtojë shëndetin e popullatës.
Të dashur qytetarë,
Unë si kryetar i Komunës dhe asambleistët jemi të zgjedhurit tuaj dhe me asnjë kusht nuk do të marrim vendime për asnjë lloj investimi që dëmton shëndetin tuaj dhe ndot ambientin. Ne do ta përkrahim vullnetin e qytetarëve të zonës.
Ky investim pritet të kushtojë rreth 45 milion euro dhe do të punësojë 250 persona, paga e të cilëve do të jetë nga 2500 deri në 3500 euro.
Fabrika do të furnizohet me ujë nga shpuarja ndërsa rrymën do ta prodhojë me gjenerator. Teknologjia e kësaj fabrike do të jetë e vitit 2024 dhe fabrika do të jetë e tipit të gjelbërt, pa oxhak për emetimin e gazrave.
Fabrika do të jetë e tipit të mbyllur dhe gazrat që prodhohen do të shndërrohen në një lëng, të cilin investitori do ta shet në treg.
Banorët e fshatit Shajne, fshati dhe komuna do të kenë benificione dhe shumë përfitime, të cilat investitori do t’ua prezantojë më datën 06.04, në ora 17:00, në takimin që do të zhvillohet me ta.
Investitori do të jet sponzor gjeneral i KF Opoja dhe të gjitha klubeve tjera sportive.
Pse ky investim në zonën kadastrale të fshatit Shajne?
Për shkak se komuna ka vetëm një zonë industriale, e cila është e vendosur në ZK Shajne, dhe me ligj, Kryetari i Komunës dhe Asambleja Komunale kanë të drejtë ligjore të propozojnë investime vetëm në atë zonë.
A është vendimi i Asamblesë Komunale i ligjshëm?
Vendimi i Asamblesë komunale i nënshtrohet shqyrtimit të ligjshmërinë nga ministria përkatëse e Qeverisë së Kosovës.
A është vendimi i Asamblesë definitiv? Jo.
Pas këtij vendimi, investitori duhet të sigurojë së paku edhe dhjetë leje të tjera nga ministritë përkatëse të Qeverisë së Kosovës, ndërsa leja e fundit është ajo e Ministrisë së Mjedisit.
Përfundimisht,
Unë jam kryetar i juaji dhe ju jeni qytetarë të mi. Të kaluarën time politike dhe profesionale e dini, andaj mund të jeni të sigurt se unë, si kryetar i juaji dhe asambleistët, do të respektojmë vullnetin tuaj.
Ju lutëm që në takimin e organizuar më datë 06.04.2025 në ora 17,në shkollën e fshatit Shajne të prezantojë së paku nga një përfaqësues i familjes.
Me respekt,
Bexhet Xheladini
Kryetar i Komunës së Dragashit
©TVOPOJA

 

Po ngarkohet lajmi tjetër...
Follow
shiriti anësor Kërko Në trend!
Trendi...
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...