Botohet nga Instituti Albanologjik i Prishtinës libri studimor “Proza eksperimentale – rasti i Pashkut nga studiuesja Dr.Manjola Brahaj Halili.
Ky punim shkencor objektivin e tij të hulumtimit, analizimit dhe interpretimit për gjatë gjithë shtrirjes së tij ka të gjithë veprën e shkruar në prozë të autorit Anton Pashku. Ky punim monografik shquhet për analizën e thellë, interpretimet origjinale dhe konkluzionet me nivel shkencor. Me me anë të këtij punimi është bërë nxjerrja në pah dhe evidentimi i vlerave reale të veprës së shkrimatrit me origjinë nga Grazhdaniku i Prizrenit, si dhe kontributi i këtij shkrimtari me prozën e tij në letërsinë shqipe dhe zhvillimin e saj, si një prozë e një lloji të veçantë, të palëvruar më parë në letërsinë shqipe. Studimi përfshin shumë aspekte të veprës, qofshin këta komponentë të brendshëm apo të jashtëm të ndërtimit të saj, duke bërë kështu që të vijë si një pikë referuese për studiuesit të cilët do të merren më pas me veprën e këtij autori.
Për akademiken e njohur Floresha Dado ky studim “jep modelin se si studiuesi mund të thellohet në struktura të brendshme të veprës letrare, sidomos të ligjërimit artistik, si komponenti më kompleks dhe më misterioz i organizimit të një vepre letrare. Studiuesja ka arritur të hetojë dukuritë më interesante të poetikës së brendshme që e bëjnë këtë shkrimtar përfaqësuesin më tipik të prozës eksperimentale. Elementë të ndërtimit të brendshëm, të raporteve që krijohen midis përshkrimit, dialogut, ritmit të veprimit, alegorisë së pa shoq dhe shumë e shumë tipare të tjera të poetikës, krijojnë një përfytyrim mjaft interesant mbi autorin e shquar.”
Për më tepër ju ftojmë ta lexoni studimin më të ri që iu ka shtuar letrave shqipe.
Të dhëna për autoren:
Ka lindur në Tropojë më 1986. Ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, për Gjuhë shqipe dhe letërsi aty ku dhe ka përfunduar masterin shkencor dhe po ashtu ka marrë gradën Dokotor i shkencave në letërsi. Shkruan artikuj shkencorë të cilët i ka botuar në revista kombëtare dhe ndërkombëtare. Krijimtarinë e saj artistike e ka të përkthyer në; anglisht, gjermanisht, frengjisht, italisht, spanjisht, rumanisht dhe kinezisht. Krijimtari të cilën e ka të publikuar në revista dhe antologji të ndryshme në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Itali, Meksikë, Argjentinë, Spanjë, Gjermani, Francë, Rumani dhe Kinë. Për krijimtarinë e saj është vlerësuar me çmime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Përkthen nga spanjishtja dhe ka sjellë në shqip me cikle të ndryshme poezish dhe pjesë të veprave të tyre autorë si; O. Paz, F.G. Lorka, P. Neruda, M.Melendez, M. Hernandez, E. Sabato, J. l. Borges, A. Pizarnik, A. Hoyos, F. Carrera etj.
Aktualisht është e martuar në Opojë dhe jeton në Prizren e punon si profesorësh në Universitetin “Ukshin Hoti”.
Është autore e veprave:
“Vajtimi i Kalipsosë”, (poezi), Pika pa sipërfaqe, Tiranë 2010.
“Na nuk jena t’ktuhit”, (poezi), Pa, Prishtinë 2014.
“Çka nuk tregohet nuk ka ekzistue”, (poezi), OM, Prishtinë 2018.