Të gjitha rrugët në Republikën e Kosovës janë të gatshme për sezonin dimëror.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu ka bërë të ditur se të gjitha rrugët në Kosovë janë të përgatitura për sezonin dimëror.
Ai tha se për mirëmbajtjen e tyre janë përzgjedhur shtatë kompani, të cilat do të kujdesen për mirëmbajtjen e rrugëve.
Ministria e Infrastrukturës së bashku me kompanitë e kontraktuara në shtatë rajone të Kosovës, i ka bërë të gjitha përgatitjet për sezonin dimëror, i cili ligjërisht ka filluar më 15 nëntor.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, i cili ka thënë se institucionet përgjegjëse për këtë janë mobilizuar për çfarëdo temperaturash.
“Kompanitë janë mobilizuar që të gjitha kompanitë të furnizohen me materiale harxhuese në këtë rast me krip për dimër. Është sjellë nga të gjitha kompanitë një sasi e mjaftueshëm e kripës e cila do të jetë e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve dhe kësaj here nuk do të na zë në gjumë”, ka thënë Kadriu.
Kadriu tha se Ministria e Infrastrukturës i ka bërë përgatitjet edhe sa i përket sanimit të gropave dhe dëmeve të shkaktuara nëpër rrugë.