Përfaqësues dhe pronarë të bizneseve në Kosovë e kanë quajtur zbritje simbolike uljen e tarifave të energjisë elektrike, duke thënë se tarifat e aplikuara për komunitetin e biznesit edhe ashtu ishin dhe mbesin të larta.
Autoritete kompetente energjetike në Kosovë kanë marrë vendim që nga 1 nëntori të zbresin tarifat e energjisë për konsumatorët industrialë dhe komercialë për 5 për qind, por jo edhe për konsumatorët e amvisërisë.
Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex” në Suharekë, vendimin për zbritjen e tarifave e vlerëson të duhur, por jo të mjaftueshëm. Ai konsideron se çmimi aktual është shumë i lartë.
Ai thotë se paguan më shumë se 17 mijë euro në muaj për faturat e energjisë elektrike për kompaninë e tij. Kurse shpenzimet vjetore, sipas tij, arrijnë deri në 300 mijë euro për sigurimin e rrymës, duke llogaritur këtu edhe derivatet e naftës që shfrytëzon për t’i vënë në funksion gjeneratorët për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të energjisë.
“Çdo vendim që ndihmon biznesin në Kosovë është i mirëseardhur, edhe pse ky vendim është simbolik në raport me problemet me energji elektrike që i kemi të shumta, sidomos për shkak të ndërprerjeve të shpeshta. Madje në Kosovë është absurd fakti se ne bizneset në raport me konsumatorët e amvisërisë, paguajnë pothuajse dyfishin e energjisë elektrike”, tha Palushi.
Edhe kryetari i Aleancën Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini e konsideron të pamjaftueshme zbritjen e çmimit të energjisë elektrike për bizneset.
Problemet dhe çmimi i tarifave të energjisë elektrike, sipas tij, vazhdimisht janë identifikuar si një nga katër pengesave kryesore në zhvillimin e veprimtarisë së bizneseve, konkretisht industrisë prodhuese.
“Tashmë kur ZRRE ka marrë një vendim që të ulë tarifat, e vlerësojmë të mirë, por të vonuar. Kjo është vetëm një ulje simbolike për të cilat duhet të vazhdojë edhe më tutje, pra ulja e tarifave. Dhe këtu duhet të marrim shembujt më të mirë që aplikojnë vendet e Ballkanit Perëndimor për bizneset, industrinë dhe prodhimin. Kosova ende mbetet me tarifat më të larta, karshi këtyre vendeve”, shprehet Shahini.
Vendimi për tarifat e reja pritet të hyjë në fuqi nga data 1 nëntor e këtij viti, tha Adelina Murtezaj zëdhënëse në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE).
“Sipas këtij vendimi, tarifat e reja që do të aplikohen nga 1 nëntor 2018, për konsumatorët shtëpiakë (amvisëri) do të mbesin të njëjta, përderisa ato të konsumatorëve industrialë, komercialë dhe për ndriçimin publik do të zbresin për 5 për qind. Këto tarifa janë rezultat i të hyrave të lejuara maksimale të aprovuara për operatorët e Transmetimit/Tregut (KOSTT), Shpërndarjes (KEDS) dhe Operatorin e Furnizimit të Shërbimit Universal (KESCO) si dhe reflektojnë koston e shërbimit të ofruar për grupet përkatëse tarifore”, tha Murtezaj.
Bazuar në çmimet e aktuale të aplikuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, vetëm kategoria e konsumatorëve të mëdhenj të energjisë reaktive, për tarifat ditore, përkatësisht tarifat e larta dhe e ulët (ditë –natë), për kilovat paguajnë 4.96 respektivisht 6.69 euro. /Rel/TvOpoja