Sot, më 9 prill 2025, nderojmë një nga përballjet më të suksesshme në luftën e lavdishme për liri – Betejën e Koshares. Kjo betejë, e udhëhequr nga Brigada 138 “Agim Ramadani” e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nuk ishte thjesht një fitore strategjike, por një simbol i guximit, sakrificës dhe besnikërisë ndaj lirisë.
Në këtë betejë heroike, luftëtarët e UÇK-së arritën të thyejnë kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill 1999, duke hapur një rrugë jetike për furnizimin me armatim dhe mbështetje logjistike. Ky veprim jo vetëm që sfidoi barrierat fizike, por shënoi kulmin e sakrificës sublime kundër shtypjes, dhunës sistematike dhe prirjes gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit.
Në mesin e qindra luftëtarëve të guximshëm që u angazhuan për çlirimin e Kosovës, veçohen edhe shumë trima nga treva e Opojës, të cilët shkruan emrin e tyre me shkronja të arta në altarin e lirisë transmeton Televizioni Opoja. Tre dëshmorë nga kjo trevë – Ilmi Bahtijari nga Blaçi, Fetah Sylejmani dhe Fisnik Ibrahimi nga Shajne – ranë heroikisht për vlerat më të shenjta të pavarësisë. Ata janë krenaria e paharrueshme dhe inspirimi i përhershëm i Kosovës.
Beteja, e cila zgjati deri më 10 qershor 1999, mbetet simbol i vendosmërisë së popullit shqiptar për çlirim, ndërsa kujtojmë sakrificën e pashembullt të secilit dëshmor të UÇK-së që në kohërat më të errëta i dolën zot Atdheut. Mirënjohja jonë është e përjetshme.
©TVOPOJA