Bresanë, 29 tetor 2020 – Veteranët e Luftës së UÇK-së nga fshati Bresanë i Opojës, kanë përkujtuar bashkëluftëtarin e tyre Vedat Reshiti me rastin e 20 vjetorit të shkuarjes në amshim.

Me iniciativën e veteranit Besim Garipi, rreth 30 ish-pjestarë të UÇK-së nga fshati Bresanë, kanë marrë nismën për emërtimin e një rruge me emrin e Vedatit. Ata kanë nënshkruar një kërkesë të cilën ua kanë drejtuar Kryetarit të Komunës, z. Shaban Shabani, Këshilltarëve të Kuvendit komunal dhe Komisionit për emërtimin e rrugëve dhe hapësirave publike të KK Sharr.

Në shkresë ndër të tjera thuhet: “I nderuar kryetar i komunës, z. Shaban Shabani, Të nderuar Këshilltarë të Kuvendit komunal, Dragash…

Ne, Veteranët e Luftës së UÇK-së nga fshati Bresanë kërkojmë që në kuadër të kompetencave tuaja ligjore të merrni vendim që një pjese të rrugës me emrin aktual “Shullani” t’i vendoset emri i bashkëluftëtarit tonë tashmë të ndjerë, Vedat (Meleq) Reshiti, invalid i luftës i cili në një aksident e ka humbur jetën pikërisht në këtë pjesë të rrugës.

Arsyetim:

Duke u nisur nga fakti se më datën 29 tetor 2020 bëhen plot 20 vjet nga vdekja aksidentale e bashkëluftëtarit dhe bashkëvendësit tonë Vedat Reshiti, invalid i luftës i plagosur nga predhat e armikut, ne Veteranët e Luftës së UÇK-së nga fshati Bresanë, në shenjë respekti për Vedatin, morëm iniciativën që t’ju drejtohemi zyrtarëve kompetentë të komunës për emërtimin e një pjese të rrugës që aktualisht e mban emrin “Shullani” nga lagjja Duraj e deri në krye të fshatit Bresanë me emrin Vedat Reshiti i cili edhe e ka humbur jetën pikërisht në këtë pjesë të rrugës.

Duke e pasur parasysh kontributin e të ndjerit në çlirimin e Kosovës, e ndiejmë për obligim që në këtë 20 vjetor të vdekjes në shenjë përkujtimi dhe vlerësimi të personalitetit të tij të kërkojmë që rruga në fjalë ta mbaj emrin Vedat Reshiti. Kjo do të na bënte nder neve si bashkëluftëtarë por edhe fshatit Bresanë dhe mbarë komunës.

Disa të dhëna biografike për Vedat Reshitin

Lindi në fshatin Bresanë më 20 nëntor 1967. Rrjedh nga një familje me traditë atdhedashurie e cila ishte halë në sy e pushteteve antishqiptare në këto troje.
Në vitin 1998, atë e arreston policia serbe dhe e keqtrajton e rrah brutalisht për 10 orë rresht në stacionin policor në Dubravë afër fshatit Zym.
Pas këtij torturimi çnjerëzor, Vedati kishte vendosur që për të gjallë mos t’ju binte në dorë policëve serbë. Ai pak ditë pasi e kishte marrë vetën nga plagët e shkaktuara, shkon në Shtabin e UÇK-së në Vërri, përkatësisht në fshatin Jeshkovë ku shpreh vullnetin për t’iu bashkëngjitur radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Drejtuesit e Shtabit pasi ia marrin shënimet, i thonë se duhet të kthehet në Opojë dhe të angazhohet në themelimin e Brigadës së Opojës…

Më 14 prill 1999, realizon ëndrrën e tij të kamotshme për t’u bërë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Eprorët e caktojnë në Brigadën 138 “Agim Ramadani” si ushtar në Njësitin e Ndërlidhjes të cilin e komandonte Gani Begu. Gjatë shërbimit në këtë njësit shumë të rëndësishëm të UÇK-së, Vedati shquhet për guxim, trimëri e devotshmëri.

Pak para përfundimit të luftës, gjatë granatimit të forcave serbe në pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare, Vedati plagoset në pjesë të ndryshme të trupit, të shkaktuara na copëza të predhave…
Një vit e ca pas përfundimit të luftës, gjegjësisht më 30 tetor 2000, derisa po e ngiste traktorin, humb ekuilibrin dhe rrokulliset nga një lartësi rreth 30 metrash duke ngelur i vdekur në vend.

Me shpresën se do t’i përgjigjeni pozitivisht kësaj kërkese, ju falënderojmë paraprakisht!

Kërkesës me nënshkrimet tona po ia bashkëngjisim edhe kopjen e certifikatës së invalidit të luftës Vedat Reshiti”, përfundon kërkesa e veteranëve të Luftës së UÇK-së nga fshati Bresanë.

Rreth 30 ish-pjesëtarë të UÇK-së nga fshati Bresanë, kanë marrë nismën për emërtimin e një rruge me emrin e bashkëluftëtarit të tyre Vedat Reshiti