Alma Salihi nga Bresana shkëlqen në finalen e “Muza 2025” në Tiranë, duke fituar Çmimin e 4-të mes mijëra pjesëmarrësve!

PersonazheKulturë & Art5 muaj më parë2.9K shikime

“Muza” është një prej platformave më prestigjioze në hapësirën shqiptare që promovon dizajnerët e rinj të modës, duke i sjellë përballë jurive elitare dhe një audience të gjerë artistike e profesionale. Edicioni i këtij viti, “Muza 2025”, që u mbajt në Tiranë, mblodhi mbi 4000 aplikime në fazën e parë, prej të cilëve vetëm 32 dizajnerë arritën në gjysmëfinale, për t’u përzgjedhur më pas 10 finalistët më të mirë që defiluan para një jurie të përbërë nga emra të njohur si: Fadil Berisha, Emina Cunmulaj, Rudina Magjistari, Enada At’Nikolla, Helidon Haliti, Afërdita Onuzi dhe Valdrin Sahiti. Organizimi i këtij eventi madhështor u bë nga drejtoresha Andriola Kambo dhe ekipi i saj profesional.

Në mesin e finalistëve, Alma Salihi nga fshati Bresanë i komunës së Dragashit, përfaqësoi Kosovën me shumë dinjitet dhe kreativitet, duke fituar Çmimin e 4-të të garës. Alma ishte e vetmja pjesëmarrëse nga Kosova që u vlerësua nga juria me një çmim të tillë. Po ashtu, Alma Salihi mori mbështetje edhe nga përfaqësuesit e Komunës së Dragashit që ishin të pranishëm në këtë ngjarje për ta përkrahur – z. Vetim Ramadani dhe znj. Liridona Misini Piraj.

Koleksioni i saj, me titullin “Në hijën e kujtimeve”, solli në skenë një gërshetim emocionues mes trashëgimisë kulturore dhe stilit bashkëkohor. E frymëzuar nga një dhomë e vjetër e fshatit, ku ruhej kashta, zhguni, thasët dhe goblenat – Alma përmes punës së saj solli jetë të re për këto objekte tradicionale, duke i transformuar në elemente të modës moderne. Ajo synoi jo vetëm rikthimin e këtyre simboleve kulturore, por edhe nderimin e kujtimeve që i lidhin njerëzit me identitetin e tyre.

Kush është Alma Salihi?
E lindur më 6 prill 2000 në Bresanë, Dragash, Alma është një dizajnere e re me përvojë dhe vizion të qartë. Pas përfundimit të shkollës së mesme në Dragash, ajo ka ndjekur studimet në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT) në drejtimin Dizajn i Integruar i Avancuar, me specializim në dizajn mode, ku ka përfunduar edhe studimet master me titullin “Perfect Imperfection” – një projekt që promovon pranimin dhe përqafimin e dallimeve njerëzore përmes veshjeve për persona me vitiligo. Ajo ka ndjekur edhe një shkollë profesionale për rrobaqepësi në “Akademinë Divers”, duke e kombinuar pasionin me mjeshtërinë.

Alma është e njohur për stilin e saj të veçantë ku ndërthuren strukturat grafike, arkitektura dhe linjat e forta, me një qasje shumë personale ndaj modës. Krijimet e saj janë të dashura nga të rinjtë dhe ajo synon të ndërtojë brendin e vet në të ardhmen, duke ruajtur gjithnjë frymën e origjinës dhe autenticitetin.

Arritja e saj në “Muza 2025” është jo vetëm një sukses personal, por edhe krenari për Opojën, komunën e Dragashit dhe gjithë Kosovën, duke dëshmuar se talenti dhe përkushtimi shpërblehen gjithmonë.

Urime Alma – vazhdo të frymëzosh dhe të ngresh zërin e trashëgimisë përmes artit tënd unik!

©TVOPOJA

Po ngarkohet lajmi tjetër...
Follow
shiriti anësor Kërko Në trend!
Trendi...
Loading

Signing-in 3 seconds...

Signing-up 3 seconds...