Gazetari dhe publicisti nga Bresana, Demir Reshiti në një postim në facebook ka ri-ngritur shqetësimin e tij për ndotjen e lumit të Bresanës.

“Kështu dukej sonte lumi i Bresanës i fotografuar nga ura e Duraje. Shumëfish më irrituese se uji i zi, ishte kundërmimi i tmerrshëm që ta zinte frymën përcjellë Televizioni Opoja!
Është momenti i fundit që të ndërmerret ndonjë masë ndaj ndotësve!”, kishte shkruar Demiri në postimin e datës 23 shkurt 2020, dhe këtë postim e ka ilustruar me një fotografi ku uji i lumit duket tërësisht i zi nga plehrat që kanë derdhur qytetarë të pandërgjegjshëm…

Ky postim ka nxitur shumë reagime dhe debate dhe pothuajse të gjithë reaguesit kanë shprehur shqetësimin e tyre e madje kanë postuar edhe fotografi në të cilat dëshmohet se gjendje e tillë shqetësuese paraqitet edhe në lumenjtë e fshatrave tjera të Opojës.
Demiri përveç shqetësimit të ngritur, ka dhënë edhe disa propozime për ta evituar këtë dukuri të shëmtuar…
Lexoni në vazhdim shqetësimin e ngritur nga Demiri bashkë me propozimet konkrete për masat që duhet ndërmarrë:

TURP… TURP… TURP!

Kështu duket sot lumi i Bresanës. Mbeturina nga të gjitha llojet gjenden te hedhura në këtë lum nga njerëz të pandërgjegjshëm. Këto mbeturina janë rrezik potencial për shëndetin e banorëve…

Edhe pse kompania e pastrimit një herë në javë e mbledh bërllokun, disa familje që nuk paguajnë i hedhin mbeturinat në lum. Ata arsyetohen se kompania ka shtrenjtuar shërbimet gati 200% pa paralajmërim a konsultim paraprak me banorët andaj nuk po paguajnë!
Mendoj se duhet të ndërmerren urgjentisht masa që lumi të pastrohet dhe të ndëshkohen ata që hedhin mbeturina e gjithashtu edhe kompania që bën grumbullimin e mbeturinave t’i kthej çmimet në nivelin e mëparshëm…

Masat që urgjentisht duhet ndërmarrë:

1. Të angazhohet një kompani e pastrimit e cila do të ndihmohej nga të rinj vullnetarë të fshatit për pastrimin e lumit përgjatë tërë rrjedhës nëpër fshat;
2. Të mbahet një mbledhje e karakterit vetëdijesues me banorët e fshatit në të cilën udhëheqësit e fshatit (nëse ka të tillë), imamët e të dy xhamive, mjekë, intelektualë si dhe përfaqësues të subjekteve politike nga fshati Bresanë t’ju flasin banorëve për rrezikun që përbën hedhja e mbeturinave në lum. Në mbledhje të ftohen edhe përfaqësues të kompanisë së autorizuar për heqjen e bërllokut si dhe të inspektoratit komunal dhe të merren vendime për ndëshkimin e personave të pandërgjegjshëm që bëjnë hedhjen e mbeturinave në lum;
3. Të vendosen urgjentisht kontejnerë nëpër secilën lagje të fshatit;
4. Të vendosen tabela me mbishkrimin “Ta ruajmë ambientin” dhe “Ndalohet rreptësishtë hedhja e mbeturinave në lum”;
5. Arsimtarët orën e parë të mësimit në fillim të javës t’ia kushtojnë këtij problemi dhe t’i sensibilizojnë nxënësit për ruajtjen e ambientit;
6. Të identifikohen dhe gjobiten me gjoba të mëdha ata që i hedhin mbeturinat e sidomos ata që e hedhin plehun e kafshëve në lum.
Mirëpresim edhe ndonjë ide tjetër e cila do të mund të materializohej në drejtim të mbrojtjes së ambientit.

Të gjitha këto të bëhen në interes të vetë popullatës!