Prizren, 12 qershor 2019 – Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet B.G., për veprat penale “Vrasje e rëndë” nga neni 179 paragrafi 1 nëparagrafi. 1.3, “Vrasje në tentativë” nga neni 178 lidhur me nenin 28 si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, me datë 17.03.2019 në fshatin Studenqan – Komuna e Suharekës, i akuzuari pas një mosmarrëveshje paraprake rreth çështjeve pronësore, me dashje privon nga jeta anëtarin e familjes vëllaun I.G., në atë mënyrë që hyn tek dyert e oborrit të shtëpisë së K.G., me pistoletë-revole të markës HS -9 e cal. 9×19 mm shtënë një herë në drejtim të I.G., dhe pas të shtënës i ndjeri I.G., i plagosur ikë brenda në shtëpi, ku i akuzuari fillon ta ndjek atë nga pas.
Ndërkohë, e dëmtuara N.G., pas dëgjimit të një zhurme, e hap derën e shtëpisë dhe e sheh B.G., i cili shtënë në drejtim të saj dhe e plagos në regjionin e sipërm të abdomenit. I akuzuari vazhdon ndjekjen duke hyrë në dhomën ku ishte fshehur i ndjeri I.G., dhe shtënë në të katër herë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar plagë nga arma zjarrit, e që vie deri te vdekja e të ndjerit I.G.
I akuzuari, gjendet në paraburgim nga data 17.03.2019, dhe prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë.