Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pasi partia e tij doli fituese e zgjedhjeve në Dragash pas numërimit të votave me kusht.
Abdixhiku me anë të një postimi në Facebook ka thënë se LDK ishte e bindur se zëri i votuesve me postë ishte i drejtë, i pastër dhe bindës, shkruan televizioni Opoja
“LDK, përfundoj ciklin e zgjatur të zgjedhjeve lokale me 8 komuna të fituara. Dr. Xheladini i bashkohet të shtatë kryetarëve tanë të tjerë në misionin e shërbimit të drejtë e të mbarë për të gjithë qytetarët pa dallim”, ka shkruar Abdixhiku.
Postimi i plotë i tij:
Sot, për herë të tretë, u konfirmua fitorja jonë në komunën e Dragashit. Votimi i 17 tetorit, i 14 nëntorit dhe rivotimi i mërgatës i finalizuar sonte me 14 dhjetor, rikonfirmuan tri herë radhazi mbështetjen e qartë për kandidatin tonë, Dr. Bexhet Xheladini.
Tendencat e vendimeve skandaloze për fitore në tavolinë, ishin korrigjuar nga Supremja pas ankimimit të LDK-së. Ishim të bindur, sikurse herën e parë e të dytë, se zëri i votuesve me postë ishte i drejtë, i pastër dhe bindës; dhe se këtë zë e këtë vullnet s’mund ta ndryshonte asnjëri. Sonte vullneti qytetar u mbajt në vend.
LDK, përfundoj ciklin e zgjatur të zgjedhjeve lokale me 8 komuna të fituara. Dr. Xheladini i bashkohet të shtatë kryetarëve tanë të tjerë në misionin e shërbimit të drejtë e të mbarë për të gjithë qytetarët pa dallim.
Dragash urime!