Kryetari i NISMA Socialdemokrate në Dragash z.Fatmir Halili, konsideron që shoqëria jonë është në një gjendje ku më shumë po vuan nga kriza morale, sesa nga varfëria dhe papunësia, edhe pse z.Halili thekson se një kontribues jo i vogël i kësaj gjendje të krizës morale, është edhe gjendja e rënduar ekonomike dhe sociale, e cila ka ardhur si pasojë e politikave të dobëta dhe të pa ide të këtyre dy dekadave, si dhe nga okupimi shumëvjeqar i Kosovës!

Më poshtë po ju përcjellim shkrimin e plotë të Fatmir Halilit të publikuar në Facebook:
Shoqëria kosovare përveç problemeve ekonomike dhe sociale, është e zhytur thellë edhe në krizë morale.
E para, problemet ekonomike dhe sociale përveç që mund t’i atribuohen politikave të dobëta të këtyre dy dekadave të pasluftës, ato janë pasojë edhe e okupimit shumëvjeqar të kosovës.
Së dyti, kriza morale e shoqërisë tonë është rrjedhojë pikërisht e këtyre dy të parave, politikës së mbrapshtë njëzetvjeqare dhe okupimit shumëvjeqar të kosovës.

Ajo që mund të konstatohet, është se ne si shoqëri, më shumë jemi duke vuajtur nga kriza morale se sa nga varfëria dhe gjendja e rënduar ekonomike dhe sociale.
Kushdo, që ka përcjellur politikën me vëmendje gjatë këtyre dy dekadave të fundit, e gjenë lehtë konstatimin pse jemi në këtë gjendje si shoqëri, dhe rrjedhimisht si shtet.

Një vështrim i debateve në Kuvendin e Kosovës, dhe debateve në Kuvendet Komunale, të jep përgjigjën e pyetjes, se pse ndodhemi në këtë gjendje si shoqëri!
Përderisa, njerëz të djallëzuar, të padijshëm, të pasinqertë, mashtrues, profiter të shumëfishtë, përfaqësojnë interesat qytetare, natyrisht me përjashtime, nuk mund të kemi funksionim normal në asnjë segmenti të shoqërisë.

Kjo krizë morale që ka mbërthyer shoqërinë tonë në katër anët e saj, në pamje të parë të duket pa asnjë rrugë për dalje nga kjo gjendje! Megjithatë, nëse krahasojmë gjërat në kohë, shopëria jonë ka tejkaluar edhe gjendje më të vështira se sa kjo e tanishmja. Përderisa kemi arritur të largojmë okupatorin shumëvjeqar, pushtuesin më të egër të evropës, që nga lufta e dytë botërore, në këtë drejtim, gjendja jo e mirë ekonomike dhe sociale, nuk mund të jenë arsye të dorëzimit të kësaj shoqërie!

Tema e cila është përfolur më së shumti javëve të fundit, punësimet familjare dhe politike, është problemi shoqëror që e kemi prezentë që nga qeverisja e parë e pasluftës. Ajo që mund të thuhet për këtë çështje, nuk është problemi i vetëm që Kosovën e ka sjellë në këtë situatë, por, është një nga kontribuesit e krijimit të kësaj gjendje. Por, tjetra që mund të thuhet për këtë, është se ky problem na zbulojë fytyrat e vërteta, dhe atë, jo vetëm të politikës.

Privatizimi i keq, që la rrugëve mijëra punëtor, keqpërdorimi i buxhetit në forma të ndryshme, janë arsya themelore e gjendjes së rënduar ekonomike. Në munges të ofrimit të ideve për krijimin e një qeverisje normale, që do të nxjerrë nga kjo gjendje shoqërinë dhe shtetin, përdoret gjuha jo politike, arroganca, dhe shumëçka tjetër për të ardhur në pushtet. Fokusi në punësimet familjare dhe politike, edhe pse nuk ka dilema që meriton trajtim serioz, vjen si pasojë e mungesës së ofrimit të alternativave. Në këtë drejtim, nuk mund të thuhet se kjo nuk ka ndodhur edhe nga partitë që sot ndodhën në qeverisje.