Shkruan Fatmir Halili
Pavarësisht tranzicionit të tejzgjatur, pavarësisht problemeve që kemi si shoqëri, ajo që mbetet kryesore është shteti që gradualisht po ndërtohet.
Të themi më shtruar, shtetin e bëjnë njerëzit, qytetarët që jetojnë brënda kufijve të atij vëndi. Në këtë mënyrë, janë qytetarët që një shtet e bëjnë të jetë shtet i mirëqenë, apo shtet jo i sigurt për të jetuar. Shikuar në këtë dioptri, shteti jonë është i tillë çfarë është, për shkak të qytetarisë që kemi krijuar për vite e dekada me radhë.
Andaj, nga kjo rrjedh, se shteti ynë është shtet në ndërtim, sepse shoqëria jonë vazhdon të jetë shoqëri në ndërtim.
Zhvillimet shoqërore politike që janë duke ndodhur, në veçanti muajt e fundit, dinamika e shtuar e zhvillimeve politike dhe sociale, janë kryekëput ngritje e vetëdijes shoqërore. Përderisa kemi qenë të heshtur si shoqëri, është e qartë se nuk jemi marrë me problemet, por kemi jetuar me to. Prandaj lëvizjet e fundit në shoqëri, sidoqoftë, na japin shpresë se trajtimi i problemeve ka filluar të ndodhë, e kjo na jep të kuptojmë që edhe zgjidhja do të gjendet më shpejt, e pa dyshim, në këtë drejtim ka shpresë që edhe shteti po ndërtohet.
Në këtë periudhë, kur po shënojmë vitin e 11 të shtetësisë së kosovës, ajo që mbetet për diskutim, dhe që vlen ta trajtojmë seriozisht, janë partitë politike dhe politikëbërja. Në këtë drejtim, para së gjithash, është ligji mbi zgjedhjet që domosdo duhet ndryshuar, e posaçërisht ligji mbi zgjedhjet lokale. Përfaqësimi qytetarë, si në kuvendin e kosovës, ashtu edhe në asambletë lokale, për dy dekada nuk ka qenë i drejtë. Janë ligjet mbi zgjedhjet që kanë sjellë konkurencë jo të drejtë, duke pamundësuar që shumë komuna të mos kenë fare përfaqësues në kuvendin e republikës, siç është e padrejtë që i pari i listës të jetë asambleistë në asambletë komunale.
Për më tepër, një sfidë që do të ngelet në politikën kosovare është reformimi i partive politike, hapja e tyre ndaj kuadrove të reja, dhe krijimi i konkurencës së brendshme. Themi sfidë për politikën, për faktin se partitë janë ato që në demokraci përbëjnë akterët kryesorë të politikbërjes dhe të qeverisjes. Për pasojë, Kosova ka pasur qeverisje të dobëta për dy dekada, pikërisht nga partitë që nuk kanë pasur demokraci të brendshme, nga partitë që kryekëput janë konsideruar pronë e disa individëve, që fatkeqësisht vazhdojnë të jenë të tilla edhe sot me tendencë të daljes nga kjo gjëndje.
Pa dyshim, edhe reformimi i partive politike, është pjesë e ndryshimeve shoqërore dhe vetëdijes shoqërore në rritje, dhe një sukses drejtë qeverisjes se mirë dhe shtetndërtimit. Pra, vetëdija shoqërore, është çelës edhe i reformimit dhe demokratizimit të partive politike, si dhe i sjelljes së një qeverisje të mirë dhe shtetndërtimit në përgjithësi. Andaj, një shoqëri sa më e shkolluar, nënkupton edhe një shoqëri më të vetëdijshme, parti politike më normale, dhe qeverisje më të mira. Në këtë drejtim, ngritja e vetëdijes shoqërore, drejtpërdrejtë reflekton në ngritjen e nivelit të qeverisjes dhe ndërtimin e demokracisë.