TV OPOJA
Aktualitet

Shuhet Dr. Hidajet Lutfiu, njëri nga pionierët e Kirurgjisë Prizrenase

Shkruan: Demir Reshiti

Në ditën e fundit të muajit maj 2019, është ndarë nga jeta mjeku që i vuri themelet e kirurgjisë prizrenase, doktor Hidajet Lutfiu.
Kirurgu i njohur ka ndërruar jetë në moshën 79 vjeçare. Urtësia, ndershmëria, profesionalizimi, puna dhe kontributi i tij ka mbjellë paharrueshmërinë e tij për shumë breza të ardhshëm.

Doktor Hidajeti është shembulli më i mirë i një mjeku i cili gjatë gjithë karrierës së tij profesionale ka punuar me përkushtim duke u bërë shembull prej profesionisti e humanisti.  Dr. Hidajeti, do të mbahet në mend, si një nga punonjësit mjekësorë më të njohur, si kirurg, pedagog, dhe mbi të gjitha, një qytetar shembullor dhe i nderuar i Prizrenit dhe mbarë Kosovës.

Autori i shkrimit me dr.Hidajet Lutfiun, dr. Selami Sylejmanin dhe dr. Sadri Hulajn

Kush ishte mjeku me duar të arta:

Dr. Hidajet Lutfiu ka lindur më 10 maj të vitit 1941 në Bresanë të Opojës (komuna e Sharrit). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen (normalen) në Prishtinë (gjenerata 1956-1961). Studimet e mjekësisë i kreu në Sarajevë më 1968. Po nga ky vit edhe fillon punën si mjek në Prizren. Gjatë vitit 1969 përfundon një pjesë të edukimit profesional nga lëmia e Transfuzionit dhe Hematologjisë. Në vitin 1974 kryen specializimin për Kirurgji në Beograd dhe që nga ky vit punon si kirurg në spitalin e Prizrenit.

Dr. Hidajeti, ishte një ndër themeluesit e Repartit të Kirurgjisë në Prizren. Për gati katër dekada sa punoi në Spitalin e Prizrenit, kreu me sukses mbi 40.000 ndërhyrje kirurgjike. Për punën dhe rezultatet e arritura në punë, ka marrë shumë mirënjohje e dekorata.

Dr. Hidajet Lutfiu, është ndër kirurgët e parë dhe më të njohur jo vetëm në Prizren, por edhe në mbarë Kosovën dhe më gjerë, i cili punoi me zell e këmbëngulje për ngritjen dhe përsosjen e kirurgjisë në rajonin e Prizrenit në veçanti dhe në Kosovë në përgjithësi. Veç tjerash, është inspirues i zhvillimit të pandërprerë dhe përsosjes profesionale të mjekëve të rinj dhe atyre të vjetër.

Një kohë ishte edhe mësimdhënës në shkollën e Mesme të Mjekësisë në Prizren ku ligjëroi lëndën e Anatomisë. Ishte autor i shumë punimeve profesionale nga lëmia e Kirurgjisë, ndërsa ne vitin 2005 botoi monografinë “Rreze drite në mjekësinë prizrenase”.
Duke qenë njëri nga pionierët e kirurgjisë prizrenase, Dr. Hidajet Lutfiu ka luajtur rol aktiv në të gjitha ngjarjet momentet dhe sfidat e rëndësishme me të cilat është përballur populli shqiptar. Ai me individualitetin dhe autonominë krijuese, në librin monografik kushtuar mjekësisë prizrenase, i ka dhënë krah së vërtetës, të cilën duke e mbështetur  fuqimisht, në mënyrë të kapshme, të ngjeshur me fakte, ua ka paraqitur lexuesve, pra opinionit të gjerë publik.

Me rastin e botimit të kësaj monografie, pata zhvilluar një intervistë të gjatë me doktor Hidajetin, të cilën e kam botuar në të përditshmen “Epoka e re”.

Një intervistë tjetër me doktor Hidajetin e kam zhvilluar edhe në dhjetor të vitit 2014 në shtëpinë e tij në Prizren. Më pati befasuar fakti se atëbotë, në moshën 73 vjeçare kishte mësuar shkrim-leximin në gjuhen arabe dhe kishte përfunduar së lexuari Kur’anin (bërë hatme)!

Gjithashtu kam shkruar edhe një recension për librin e tij “Rreze drite në mjekësinë prizrenase” të cilin do t’ua sjell të plot në vazhdim:

Dr. Hidajet Lutfiu: “Rreze drite në mjekësinë prizrenase” Monografi

LIBËR ME VLERË PËR HISTORIOGRAFINË E MJEKËSISË PRIZRENASE

Libri monografik “Rreze drite në mjekësinë prizrenase”, i autorit Hidajet Lutfiu, i cili para pak kohesh ka parë dritën e botimit, është një nga librat e rrallë të kësaj natyre që botohet ndër ne. Duke qenë njëri nga pionierët e kirurgjisë prizrenase, Dr. Hidajet Lutfiu ka luajtur rol aktiv në të gjitha ngjarjet momentet dhe sfidat e rëndësishme me të cilat është përballur populli shqiptar. Ai me individualitetin dhe autonominë krijuese, në këtë libër i ka dhënë krah së vërtetës, të cilën duke e mbështetur  fuqimisht, në mënyrë të kapshme, të ngjeshur me fakte, ua ka paraqitur lexuesve, pra opinionit të gjerë publik.

Autori i librit “Rreze drite në mjekësinë prizrenase”, Hidajet Lutfiu, pothuajse gjatë tërë punës së tij aktive, ka grumbulluar, lexuar nënvizuar e shkëputur ngjarje e momente interesante, që lidhen me zhvillimin dhe përparimin e shëndetësisë në Prizren. Autori ka mbledhur shënime, fotografi e ngjarje interesante nga puna me të cilën e ka lidhur profesioni dhe të njëjtat i ka sistemuar në këtë libër me qëllim që siç shprehet edhe vetë autori, të mbajë një lidhshmëri nga momenti i parë i zhvillimit e deri në ditët tona, në mënyrë që shumë gjenerata mjekësh të vyeshëm, që i kanë kontribuar popullit të mos kalojnë në harresë.

Në 276 faqe të kësaj monografie, autori ka përmbledhur një mori të dhënash e faktesh, që lidhen me zhvillimin e mjekësisë prizrenase, të cilat i ka grumbulluar gjatë punës në këtë institucion shëndetësor si dhe nga literatura e shumtë, të cilën e ka konsultuar gjatë hartimit të monografisë. Libri nis me një historik të shkurtër të zhvillimit të mjekësisë në botë, për të vazhduar më tej me prezantimin e të dhënave historike e statistikore, të cilat autori duke qenë për më se 40 vite i angazhuar në profesionin human të mjekut, i ka grumbulluar, sistemuar dhe prezantuar në këtë libër.

Çdonjëri nga 46 kapitujt, që e përbëjnë këtë monografi, paraqesin ngjarje në vete dhe secili prej tyre do të mund të zgjerohej e të bëhej libër në vete, sepse është përmbledhje e shkurtër apo mesazh për situata të ndodhura realisht, një pjesë të të cilave autori gjatë veprimtarisë së tij i ka përjetuar direkt ose indirekt, duke u mishëruar me to.

Autori në këtë monografi trajton çështje të rëndësishme të zhvillimit të mjekësisë në rajonin e Prizrenit, duke ofruar informacione, fakte e faksimile të rralla me të cilat publiku njihet për herë të parë.

Dr Hidajet Lutfiu, është ndër kirurgët e parë dhe më të njohur jo vetëm në Prizren, por edhe në mbarë Kosovën  dhe më gjerë, i cili punoi me zell e këmbëngulje për ngritjen dhe përsosjen e kirurgjisë në rajonin e Prizrenit në veçanti dhe në Kosovë në përgjithësi. Veç tjerash, është inspirues i zhvillimit të pandërprerë dhe përsosjes profesionale të mjekëve të rinj dhe atyre të vjetër.

Duke e parë nga ky këndvështrim, monografia e hartuar nga autori Hidajet Lutfiu, del tërësisht origjinale dhe e niveleve bashkëkohore. Kjo monografi është një studim dinjitoz, që do të shërbejë si nxitje dhe mësim për mjekët tjerë, me qëllim që edhe ata të kontribuojnë në pasurimin e fondit të literaturës sonë kombëtare.

Monografia “Rreze drite në mjekësinë prizrenase” është një kontribut shkencor me vlera reale e të çmuara, e hartuar nga një specialist i mirënjohur, i cili punoi e veproi në kushte e vështirësi të paimagjinueshme të kohës.

Kjo monografi, siç shprehet me të drejtë recensuesi Nexhmi Hyseni ka disa veçori të rëndësishme, që përbëjnë jo vetëm thelbin e informacionit të dhënë, por transmetojnë edhe mesazhin e suksesit, të një pune të kryer me përkushtim, në rrethana dhe kushte të rënda të mjekëve shqiptarë të asaj kohe, që fatkeqësisht ishin të pakët. Për ta hartuar këtë monografi, autorin, siç shprehet në pjesën hyrëse të librit, e kanë shtyrë të dhënat e shumta, që i posedonte, të cilat ishin  një dëshmi e rrallë dhe origjinale, që do t’u shërbente si një material i çmueshëm dhe si udhërrëfyes brezave, që do të vijnë.

Hapat e parë, mjekësia në Prizren i ka bërë më 1343 në kohën e sundimit të Dushanit. Autori duke u thirrur në të dhëna historike, përshkruan punën, që bëhej atëbotë nga mjekë, të cilët ishin kryesisht popullorë, që vinin nga shtete tjera. Vend me rëndësi në libër, autori i kushton hapjes së fakultetit të mjekësisë në Stamboll më 1840, ku janë aftësuar mjekë, të cilët më pas kanë kontribuar edhe për shëndetësinë prizrenase. Shumë kuadro mjekësore të dala nga fakulteti i Stambollit, të cilët kanë punuar në Prizren, autori i librit i përmend me emra.

Hapjen e spitalit të parë në Prizren më 1871 (spitali Islahane), nga valiu i Prizrenit Safet Pasha Rrotlla, autori e cilëson si ngjarje tejet të rëndësishme për shëndetin popullor. Lutfiu përshkruan kushtet në të cilat është punuar atëbotë, mungesën e kuadrit dhe teknikës mjekësore, si pasojë e së cilës vdekshmëria e pacientëve ka qenë shumë e madhe.

Më tej, autori përshkruan historikun e zhvillimit të shërbimeve të ndryshme mjekësore, duke filluar nga ai Bakteriologjik, Kirurgjik, Intern, i fëmijëve, i Infektologjisë, Gjinekologjisë e Akusherisë, Otorinolaringologjisë, Oftamatologjisë, i mbrojtjes nga Tuberkulozi, i Rentgenologjisë, Epidemiologjisë, i Përgjithshëm, i Neuropsikiatrisë, i Dermatovenerologjisë, Tranfuzionit, Ortopedisë, Anestezionit, i Dializës, Fiziatrisë, Stomatologjisë, Laboratorisë, i Mjekësisë Ligjore, Patologjisë, Emergjencës, Neonatologjisë, Kirurgjisë së Fëmijëve si dhe shërbimeve jashtëspitalore.

Për të gjitha këto shërbime, autori jep të dhëna interesante historike dhe statistikore që nga fillimi i punës së tyre, duke i ilustruar edhe me fotografi të objekteve, ku kanë punuar këto shërbime dhe të mjekëve të parë, që kanë kontribuar në zhvillimin e tyre.

Vend me rëndësi në libër, autori u jep kirurgëve të parë, që kanë punuar në Prizren, duke afruar për ta, të dhëna biografike si dhe skema tabelare të operacioneve, që kanë kryer gjatë kohës së angazhimit të tyre në këto shërbime. Kapitull në vete i kushtohet kirurgut të njohur italian Luciano Motroni, i cili në Prizren arrin në fillim të vitit 1944. Krahas shënimeve biografike për këtë kirurg të njohur, autori prezanton në libër edhe disa fotografi interesante të kohës, kur ka punuar Motroni.

Një përshkrim të shkurtër në dy kapituj të veçantë, autori ua bën Helmimeve masive të ndodhura në vitet 1989-1990 si dhe të plagosurve nga ana e policisë serbe gjatë këtyre viteve, që janë shëruar në spitalin e Prizrenit. Një kapitull i kushtohet edhe punës gjatë bombardimeve të NATO-së, pa u zgjeruar shumë në angazhimin e mjekëve prizrenas gjatë kohës së luftës së lavdishme të UÇK-së, sepse siç konstaton me të drejtë autori, “për këtë periudhe duhet të shkruhet me shumë respekt dhe se për ta pasqyruar shëmbëlltyrën e kësaj lufte heroike, duhet të angazhohet një numër i madh njerëzish, respektivisht një ekip i mirëfilltë…”.

Monografia përmban edhe një rezyme në gjuhën angleze të shkruar nga Dr. Osman Zhuri si dhe një vështrim të shkurtër për librin nga Mr. Yrjet Berisha, ndërsa përmbyllet me shtojcën e ilustruar dhe në 55 faqe paraqiten faksimile të dokumenteve të rralla me vlera të mëdha historike si dhe fotografitë e mjekëve specialistë, të cilët aktualisht punojnë në shërbimet e ndryshme pranë qendrës spitalore në Prizren.

Lajme të përafërta

Rrëzohet një shtyllë elektrike banorët apelojnë për Kujdes!

TV OPOJA
October 5, 2020

Dragashi e Prizreni ngecin në arkëtimin e tatimit në pronë

TV OPOJA
November 16, 2018

Duke luajtur me armë gjuetie në shtëpi, plagoset një i mitur në Dragash

TV OPOJA
July 5, 2021
Exit mobile version