Të rinjtë nën moshën 18-vjeçare, deri së voni, kanë mund të blejnë të gjitha produktet, përfshirë edhe alkoolin dhe duhanin. Fëmijët apo adoleshentët, i kanë blerë këto produkte nëpër dyqane, ndërkaq nuk ka munguar as dukuria e konsumimit të tyre nëpër kafeteri apo restorante.
Ndonëse Ligji për mbrojtjen e konsumatorit ekziston, dhe ka paraparë ndalesën për shitjen e produkteve të duhanit dhe alkoolit nën moshën 18-vjeçare, kjo nuk është respektuar.
Ndërkaq, së fundmi, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka marrë vendim që neni 15 i Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit të zbatohet me përpikëri. Në të kundërtën, ka paralajmëruardënimenëse këto produkte u shiten të rinjve nën moshën 18-vjeçare.
Gjobat me ligj për shitësit, sillen nga një mijë deri në dhjetë mijë euro.
Sociologët e konsiderojnë shtrëngimin e masave për shitjen e produkteve të ndaluara për të rinjtë deri në moshën 18 vjeçare, si të domosdoshme, duke tërhequr vërejtjen se kontaktet e fëmijëve apo të rinjve me këto produkte, i kanë efektet e veta negative.
Leutrim Sahiti, sociolog, tha për Radion Evropa e Lirë se një vendim i tillë është i mirëseardhur, duke potencuar faktin se sidomos dyqanet (marketet) rreth shkollave, që kanë lejuar blerjen e produkteve të ndaluara nga të rinjtë, kanë sjellë telashe.
“Ky është një hap pozitiv në krijimin e një shoqërie dhe vetëdijesimin e të rinjve karshi dukurive negative. Sigurisht që qasja deri më tani në blerjen e duhanit dhe alkoolit nga të rinjtë e moshës nën 18-vjeçare, ka ndikuar negativisht në shfaqjen e shumë dukurive dhe sjelljeve devijante te të rinjtë. Kjo ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të të rinjve që konsumojnë duhan e alkool”, thotë Sahiti.
“Konsumimi i alkoolit ka sjellë edhe konflikte në mes të rinjve. Ajo që ka qenë shqetësuese dhe vlen të përmendet është edhe fakti që afër shkollave ka markete të mëdha ku janë shitur cigare e alkool”, thotë tutje Sahiti.Në anën tjetër, në Klinikën Neuropsikiatrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shaban Mecianaj, neuropsikiatër, bëri të ditur se në këtë klinikë më shumë pranojnë raste të fëmijëve që abuzojnë me substanca narkotike, derisa thotë se rastet e të rinjve të varur nga alkooli janë të rralla.“Ne nuk kemi pasur pacientë që i takojnë kësaj grupmoshe që kanë kërkuar trajtim nga alkooli. Ndërkaq nga substancat narkotike kemi raste, kryesisht nga konsumimi i marihuanës, kërkojnë ndihmë e që kanë shfaqur shenja të çrregullimit psikotik akut. Ka ndodhur edhe që i kemi hospitalizuar këto raste. Por, nuk kemi raste të varësisë me alkool të kësaj grupmoshe, pra nën 18-vjeç”, tha Mecinaj.
Vendosja e masave shtrënguese, megjithatë vlerësohet se sjell efektet e veta vetëm nëse arrin të zbatohet në praktikë.Disa të rinj të intervistuar thonë se pa ndonjë problem, ata mund të hyjnë nëpër vendet e ndaluara për ta, si diskotekat, ku edhe mund të konsumojnë alkool apo duhan, pavarësisht që aty qëndrojnë shenjat, ‘18+’, që u ndalojnë atyre hyrjen.Një njoftim i vendosur në një dyqan në Prishtinë, ku njoftohet se konsumatorët nën 18-vjeç nuk mund të blejnë alkool dhe duhanKështu thotë Mentori (identiteti i njohur për redaksinë), një i ri 17-vjeçar i cili vijon mësimet në njërën nga shkollat e mesme në Prishtinë.
“Nuk ka asnjë lokal nate apo edhe diskotekë në Prishtinë që ndalon hyrjen e të rinjve nën moshën 18-vjeçare. Unë si 17-vjeçar dal në mbrëmje me shokë, kryesisht vikendeve dhe na lejohet që të hyjmë, sepse besoj ata përfitojnë nga ne. Aty lejohet të konsumosh çka të duash. Te ne ligjet nuk zbatohen”, thotë ai.
Por, a do të vazhdojë gjendja e njëjtë edhe pas vendimit të fundit të Qeverisë, kjo mbetet të shihet.Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, thotë se është i vendosur në zbatimin e nenit 15 të Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit.“Në mungesë të implementimit në tërësi të këtij ligji, i cili e përcakton që pijet alkoolike dhe duhani janë të ndaluara të shiten dhe servohen për moshën nën 18-vjeç, kam marrë vendim që të urdhëroj inspektoratin që të zbatojë në përpikëri nenin e ligjit”, thotë ministri Shala.
Ndryshe, organizatat joqeveritare që merren me trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike, thonë se kohëve të fundit vërehet një rritje e konsumimit të duhanit, alkoolit dhe substancave narkotike.
Ekspertët thonë se përdorimi i alkoolit dhe substancave narkotike nga të rinjtë, mund të shkaktojë dëme të rënda në zhvillimin e tyre fizik, mendor dhe moral.