TV OPOJA
Histori

Reagon Bedri Halimi ndaj filmit “Dasma Gorane” i realizuar nga Tom Therçaj!

NJË DOKUMENTAR ME SHKARJE ELEMENTARE HISTORIKE

Dokumentari me titull “Dasma Gorane” i realizuar nga gazetari Tom Therçaj rreth dasmës gorane më tërhoqi nga kureshtja për të parë se si e kanë realizuar në aspektin profesional.

Krahas gjërave me vlerë dhe interesante, u befasova kur që në fillim të këtij dokumentari vërejta disa pasaktësi të të dhënave rreth trevës së Gorës si tërsi ku thuhet se Gora përfshinë 40 fshatra në tërsi, nga të cilat 19 qenkan në Kosovë, 2 në Maqedoni dhe 19 fshatra në territorin shqiptar (që nënkupton Shqipërinë politike), ku nga këto fshatra, 9 janë që flasin gjuhën sllave dhe 10 që flasin gjuhën shqipe. Natyrisht që kjo është e pa qëndrueshme për faktin se në Shqipëri janë vetëm 9 fshatra dhe jo 19 ashtu siç u përmend si numër dhe jo si emra. Në Kosovë dihet se janë 18 fshatra të trevës së Gorës, por disa autorë për qëllime të ndryshme Kërstecin e quajnë dy fshatra Kërsteci i madh dhe Kërsteci i vogël.

E sipas kësaj logjike atëherë edhe Brruti në Opojë duhet të përbëhet prej dy fshatrave Brruti i madh dhe Brruti i vogël.
Dihet se në trevën e Gorës në pjesën e Shqipërisë janë Shishtavec, Oreshek, Cernolevo, Borje, Orgosta, Pakisha, Zapoti, Orçikle, Kosharishta.
Ndërkaq sa i përket pasqyrimit historik rreth prejardhjes etnike të popullatës Gorane theksohet se “Kjo popullatë pa mëdyshje i takon etnisë maqedone” dhe se këtë e treguakan “Gjuha, folklori, tiparet psikofizike etj.”!

Se nga e nxjerrin këtë konkludim realizuesit e këtij dokumentari nuk e dimë, por e dimë që të kësaj mendësie kanë qenë pseudohistriani Nijazi Limanovski, të cilit akademik Ali Hadri qysh në vitin 1980 i ka dhënë përgjigjje rreth tendencave të Limanovskit për ta instrumentalizuar çështjen e etnisë gorane për qëllime të politikes maqedone.

Në këtë rast në këtë dokumentar paraqitet edhe një intelektual nga pjesa Gorës me emrin Elmaz Dokle i cili është edhe autor i librit “Borja dhe Borjanët” e të cilin në këtë dokumentar e cilësojnë si njohësi më i mirë i traditave, zakoneve dhe kulturës së banorëve të kësaj zone. Duke pasur parasysh faktin se edhe Nazif Dokle edhe Elmaz Dokle nuk janë në mesin e të gjallëve, sado që do mundohem të jem i kursyer në shqyrtimin e kësaj çështjeje, megjithatë duhet të theksojmë së pari, atë që e thotë vetë Elmaz Dokle në këtë dokumentar: “Krahina etnografike e Gorës dallon nga krahinat fqinje të saj siç janë Luma, Pollogu dhe Opoja, për faktin se në këtë krahinë etnografike janë konzervuar më së miri trashëgimia kulturore që nga zanafilla.

P.sh të gjitha kostumet e trafitës ruhen ashtu siç kanë qenë siç janë ashtu. Të gjitha kostumet punohen me dorë dhe material vendi. Baza është leshi dhe materialet e tjera. Dallon edhe nga pikpamja e ornamenteve, dmth. nga pikpamja e ngjyrave, nga pikpamja e vizatimit, dhe nga pikëpamje të tjera. Por dallon edhe nga pikëpamja e mentalitetit. Mentaliteti në Gorë është ndryshe nga krahinat fqinje. Po ta zëmë te martesa është dallim krejt ndryshe në krahinën e Gorës, e gjithë mardhënia martesore është e ndërtuar mbi dashurinë, së pari mbi njohjen, pastaj mbi fejesë, e pastaj mbi martesën.”

Nuk e kontestojmë qëndrueshmërinë e këtyre gjërave që i thotë, por në këtë rast po e ritheksojmë paqëndrueshmërinë se këto të dhëna qenkan veti dalluese dhe se qenkan vetëm në Gorë, gjë që nuk qëndron, nga se disa nga këto të dhëna, gjenden edhe ne vendet fqinje të Gorës. Ai nuk sjellë ndonjë dëshmi dalluese e as krahasuese, as rreth ornamenteve, përpos përmendjes së dallimit pa asnjë argument. Gjithashtu edhe rreth çështjes së mentalitetit të banorëve të kësaj treve kur flet, ky autor i përzien gjërat e karakterit etnopsikologjik të kësaj hapsire, sepse dallime mund të ketë edhe brenda antarëve të familjes dhe këto janë dallime në mentalitet, në zhvillimin e inteligjencës, në formimin e personalitetit.

Pra, të konkludosh se mentaliteti i një krahine qenka tërsisht ndryshe nga krahinat fqinje kur dihet se kudo në botë krahinat kanë tiparet dalluese dhe të përbashkëtat, kanë ndikime interkulturore mes zonave etnografike, më shumë do të donim ta kuptonim si mosnjohje e problemeve të etnokulturës dhe jo si shkarje e qëllimtë nga realiteti.

Madje zoti Dokle në një rast që dua ta kuptoj si “llapsus lingua”, por që në këtë dokumentar ekziston, është përmendja nga ana e tij duke i përzier instrumentet muzikore lodrën dhe daullen, ku pastaj përmend instrumentet që përdoren në Gorë, por të cilat nuk e bëjnë të veçantë këtë trevë nga trevat e tjera, ngase nuk ka asnjë instrument muzikor që përdoret në Gorë që nuk përdoret te trevat fqinje. Gjithashtu edhe te këndimi Akapela që e përmend se është prezent vetëm në Gorë nuk qëndron, nga se ky lloj këndimi është prezent edhe në Opojë si te femrat madje edhe te mëshkujt. Po ashtu në këtë dokumentar, nuk sillet asnjë dëshmi e dallimit se cilat nga kostumet nga veshjet janë të veçanta nga të gjitha trevat fqinje.

Gjithashtu përmendja e numrit të ulët të shkurorzimeve në këtë trevë duke e përmendur si veti dalluese nga trevat tjera, është non sens etnopsikologjik dhe sociologjik, është munges argumenti, apo tentim i dhunshëm për ta dalluar këtë trevë nga trevat tjera, me gjëra që janë prezente edhe aktualisht në etnopsikologjinë e të gjitha trevave. Çeshtja e shkurorëzimeve do një trajtim më të gjërë etnopsikologjik dhe sociologjik që nuk është temë trajtimi në këtë rast.

Përndryshe në këtë dokumentar ka edhe shumë të dhëna interesante rreth traditës së kësaj hapsire ku me theks të veçantë do të përmendim deklarimin e koreografit Ali Kingji i cili i përmbahet kritereve të qëndrueshme të etnokulturës së kësaj treve.

Lajme të përafërta

U mbajt takimi i dytë publik me qytetar për këtë vit (Video, Foto)

TV OPOJA
December 20, 2019

Nga Guri i Zi në Opojë deri në Liqenin e Karanikollës: Osman Uka lahet në liqenin e ngrirë (Video)

TV OPOJA
May 11, 2020

Rreth 37 mijë euro shërbimet mortore do të i kushtojnë Komunës së Dragashit

TV OPOJA
April 5, 2020
Exit mobile version