TV OPOJA
Kosova

Koalicioni në rrezik, LDK-Nisma fillojnë përplasjet

Përveç me AAK-në e Ramush Haradinajt, ekzekutivi i udhëhequr nga LDK-ja, është duke pasur probleme edhe me Nismën Socialdemokrate. Ministri i këtij subjekti, Skender Reçica, ka treguar se ku nisën pakënaqësitë në mes të partnerëve, shkruan Gazeta Express.

Qeveria në krye me Avdullah Hotin ka një kohë që është duke pasur probleme me AAK-në, të cilat kishin nisur qysh prej herës së parë kur Kosova u rikthye në dialogun e Brukselit.

Përplasja që vazhdoi pastaj edhe me propozimin e Ramush Haradinajt për president, si dhe me vizitën në Uashington, me ç’rast edhe u nënshkrua marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë, vetëm se i ka acaruar marrëdhëniet sidomos pas përfshirjes së pikës për liqenin e Ujmanit.

Derisa ky ekzekutiv, pas arrestimit të deputetit Etem Arifi, ka mbetur në Kuvend pa 61 vota, të cilat i duhen për të kaluar ligje, në media është raportuar për takime LDK-PDK që mund të çonin në një bashkim të partisë së Kadri Veselit në koalicion. Të paktën zyrtarisht, të dy subjektet e kanë mohuar çdo formë bashkëpunimi e takimi.

Përfshirja e PDK-së në Qeveri ani se mund t’ia sigurojë votat që i duhen për të pasur shumicën e koalicionit, nuk dihet se si do të pritet nga AAK-ja e Nisma.

Këta të fundit kanë treguar për pakënaqësitë që kanë pasur me Qeverinë, duke thënë se ajo i ka injoruar kërkesat e tyre.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka thënë se ekzekutivi nuk i ka përfshirë Nismat Ligjore të MPMP-së në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Rishikuara për vitin 2021-2023. Për këtë arsye, ky subjekt nuk e ka votuar këtë kornizë.

Reforma Pensionale, Ligji për Pushimin e Lehonisë dhe Ligji i punës, janë vetëm disa nga çështjet që MPMS i ka adresuar e që nuk janë përfshirë në KASH.

Reçica thotë se në këtë dokument, i cili është kryesori sa i përket planifikimeve buxhetore, nuk janë paraparë nismat ligjore të cilat janë të miratuara fillimisht në agjendën legjislative të Qeverisë.

“Unë bashkërisht edhe me kolegët e mi në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Nismës nuk e kemi votuar këtë kornizë për faktin se në këtë dokument i cili është dokumenti kryesor sa u përket planifikimeve buxhetore, nuk janë paraparë nismat ligjore të cilat janë të miratuara fillimisht në agjendën legjislative të Qeverisë. Bëhet fjalë për reformën pensionale, Ligjin për Pushimin e Lehonisë, Ligjin e Punës dhe çështje të tjera të cilat ne i kemi iniciuar në kuadër të agjendës legjislative dhe pikërisht për këtë për shkak të mosakomodimit nuk e kemi votuar. Ne kemi kërkuar që të gjendet një hapësirë e akomodimit të këtyre nismave ligjore në kuadër të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, e cila pastaj i hap rrugë draftimit të tyre”, thotë ai.

Nuk është hera e parë që anëtarët e Qeverisë nuk kanë qenë unik në votime. Ministrat e AAK-së nuk e kanë votuar javë më parë propozimin që koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni, të paguhet sa një zëvendësministër

Lajme të përafërta

Profesori amerikan: SHBA dhe BE të përkrahin formimin e ushtrisë për të frenuar Putinin dhe Erdoganin

TV OPOJA
December 8, 2018

Komisioni për Integrime Evropiane mbanë mbledhje

TV OPOJA
November 14, 2018

Ndalohët përdorimi i telefonit gjatë orëve mësimore

TV OPOJA
November 29, 2018
Exit mobile version