Doli nga shtypi libri i nëntë me radhë i profesorit të gjuhës shqipe, Fatmir Shasivar Mehmeti me titullin”Foljet e parregullta në të folmen e Opojës” Libri është botuar nga shtëpia botuese”Pena” në Prizren duke u mbështetur financiarisht nga kryetari i komunës së Dragashit, dr. Bexhet Xheladini.
Ky libër përmban shkrime historike rreth trevës së Opojës duke cituar historianët vendës, pastaj jep shpjegim për emërtimin Opojë dhe shpjegon vendin e të folmes së Opojës brenda dialektit të Gegënishtes.
Së këndejmi në libër gjendet edhe zgjedhimi i foljeve të parregullta në të folmen e Opojës duke i krahasuar në formë tabelare me ato të standardit gjuhësor të shqipes. Rëndësia e librit qëndron në faktin se jepen format lokale të foljeve të parregullta të cilat si të standardizuara paraqesin bërthamën e morfologjisë në sferën e foljeve.
Gjithashtu brenda librit jepen shembujt që ilustrojnë përdorimin e atyre foljeve kryesisht në fjalët e urta të Opojës të shkëputura nga mbledhësi i folklorit vendës, Nexhat Ajdini. Libri përfshin zgjedhimin e foljeve në të gjitha mënyrat dhe kohët që kështu jep një ndihmesë për nxënësit, studentët dhe këdo që synon ta flasë gjuhën shqipe drejt dhe ta kuptojë të folmen e Opojës.
Kujtojmë se autori, përveç këtij libri ka botuar edhe tetë libra, sikurse: ” Kohë e mbrishtë”, “Vargjet vesojnë” , “Bukuri vargjesh” “Ne jemi ata”, “Brezi im”, “Yllnajë portretesh”, “Gjeografi e vjershëruar”, “Matematika poetike” .Edhe dy libra të tjerë i ka të përfunduar duke pritur kështu radhën e botimit.
Autori punon në shkollën IMSK(MAARIF) Në prizren dhe ka 36 vite përvojë pune në arsimimin e brezave të nxënësve.