Në Sallën e Senatit të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, dje, është mbajtur ceremonia e gradimit të dhjetë kandidatëve në doktorë të shkencave. Kandidatët e shpallur doktorë të shkencave janë nga Fakulteti Filozofik, Filologjik, Juridik, Ekonomik dhe ai i Mjekësisë.
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, gjatë kësaj ceremonie, iu është drejtuar doktorantëve të rinj me një mesazh, ku ka theksuar se puna me përkushtim e kandidatëve ka bërë që ata të jenë këtu ku janë sot, duke i bërë krenarë jo vetëm familjarët por edhe universitetin. Ai i përgëzoi doktorantët për suksesin e tyre, teksa i motivoi që të mos ndalen, por të vazhdojnë tutje rrugën e tyre drejt ngritjes profesionale dhe kështu t’i shërbejnë edhe komunitetit.
Përveç rektorit Dema, të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe prorektori për shkencë në UP, prof. dr. Faton Berisha, dekani i Fakultetit Filozofik, prof. asoc. dr. Bujar Dugolli, dekani i Fakultetit Ekonomik, prof. ass. dr. But Dedaj, dekani i Fakultetit Juridik, prof. asoc. dr. Haxhi Gashi, dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, prof. dr. Suzana Manxhuka-Kërliu, dhe prodekanja e Fakultetit Filologjik, prof. ass. Albulena Blakaj.
Në cilësinë e promotorëve të kandidatëve, ishin profesorët Muhamet Mala, Rrahman Paçarizi, Gjyljeta Mushkolaj, Fatmir Sejdiu, Visar Morina, Skënder Ahmeti, Arben Dermaku, Lule Raka dhe Nexhmi Hyseni, të cilët i paraqiten rezultatet shkencore të punimit të doktoratave të kandidatëve.
Kandidatët e shpallur doktorantë janë:
Muharrem Qafleshi
Arben Fetoshi
Behar Selimi
Emine Abdyli
Flamur Hyseni
Alban Elshani
Artor Nuhiu
Driton Vela
Rrezarta Bajrami-Halili
Petrit Nuraj