TV OPOJA
Arsim

Sot është 73 vjetori i themelimit të shkollës “Fetah Sylejmani” në Dragash.

Sot behen 73 vite që nga themelimi i shkollës së mesme të ulët “Fetah Sylejmani” në Dragash.

Nëpërmjet një komunikate të lëshuar nga drejtori MSc.Flurim Çengaj e ku ai thotë se përkundër shumë sfidave të cilat ky institucion shkollor kishte kaluar qëndroi heroike dhe vazhdoi t’i shërbejë popullit drejt avancimit.

Redaksia e televizionit Opoja ju sjell komunikatën e plotë nga drejtori MSc Flurim Çengaj.

73 VJETORI I THEMELIMIT TË SHKOLLËS

Sot, 73 vite më parë shkolla jonë u themelua dhe filloi punën si vatër e diturisë. Që nga atëherë ajo bashkë me pjesëmarrësit e saj kaluan nëpër shumë sfida dhe barriera të shumta të cilat kishin për qëllim të ndalonin shpërndarjen e dijes te fëmijët. Shkolla jonë pavarësisht pengesave qëndroi heroike dhe vazhdoi t’i shërbejë popullit drejt avancimit. Përcolli shumë gjenerata, të cilët dhanë dhe japin kontributin e pakursyer të tyre ndaj shtëpisë së tyre të dytë. Kurse sot, ajo ka ditëlindjen.

Kam nderin që si drejtor i kësaj shkolle tju përshëndes në këtë përvjetor, që është viti i 73 për historinë e kësaj shkolle në veçanti dhe për historinë e arsimit shqip të Komunës sonë në përgjithësi.
Së pari është nderë i veçantë për faktin se kjo shkollë deri tani, disa herë ka ndërruar edhe emrin, gjatë periudhës 73 vjeçare të ekzistimit të saj për të arritur më në fund në emrin e përjetshëm të saj.
Pra, kjo shkollë daton që nga viti 1948.
Dhe jo vetëm kaq! E veçanta e këtij viti është edhe fakti se dëshmori i kombit Fetah Sylejmani, emrin e të cilit e bartë kjo shkollë, sivjet i mbush 53 vite që nga koha e lindjes së tij – 1968.

Fetah Sylejmani, ish nxënës i kësaj shkolle, me punën dhe sakrificën e tij, ka hy përjetësisht në analet e Panteonit Kombëtar. Prandaj, ai tash ka vetëm ditëlindjen.
Emrin e Fetah Sylejmanit nuk e kemi vetëm në këtë shkollë, as vetëm në Rrasat e Koshares, por emrin e tij e kemi tashmë në libra, në pikturë, në këngë, në dramë, në tregime, në poezi. Emri i tij, së bashku me emrat e dëshmorëve të tjerë u shkrua përjetësisht në historinë më të re të Kosovës.

Gjatë periudhës së funksionimit të kësaj shkolle, nga bankat e kësaj vatre të diturisë kanë dalë një numër i madh i intelektualëve të profileve të ndryshme të cilët kanë dhënë dhe po japin kontribut jo vetëm në komunën tonë, por gjithandej Kosovës.

Arsimi shqip kaloi nëpër sfida dhe periudha jo të favorshme për të arritur deri në ditën e sotme. Dikush ka patur shumë dëshirë që në këtë shkollë të mos frymoj asgjë e lirë, por se çdo gjë të këtë orientim jugosllav, përkatësisht jo shqiptarë. Por, ketë ëndërr nuk kanë mund ta realizojnë falë këmbëngulësisë kolektive të popullatës së kësaj ane në përgjithësi dhe falë këmbëngulësisë së pa shoq të arsimtarëve dhe nxënësve të kësaj shkolle në veçanti.
Gjithësesi, këtu respekt meritojnë edhe arsimtarët dhe nxënësit nga treva e Gorës, të cilët ndonëse mësimin e bënin në një gjuhë tjetër, asnjëherë nuk shërbyen kolektivisht në realizimin e ambicieve anti-shqiptare të Beogradit.

Fakti se arsimi shqip ka mbijetuar që nga koha e monizmit, fakti se arsimi shqip nuk mundi të ndalohej edhe gjatë regjimit barbar të Millosheviqit, dhe fakti se Kosova është çliruar përfundimisht nga kthetrat serbe, na bën jo vetëm krenar, por, edhe na obligon të gjithëve, që të jemi më aktiv, më kreativ, më këmbëngulës në luftën për të zënë dituri të reja, në mënyrë që nxënësit e kësaj shkolle, të mund të kryejnë fakultete të profileve të ndryshme, për t’u aftësuar sa me shumë në drejtimet që zgjedhin.

Kjo jo vetëm që na obligon neve si staf arsimor, për të punuar më shumë me nxënës, por jemi të bindur se nxënësit e kësaj shkolle, si dhe të gjitha shkollave të tjera të Komunës sonë, do të jenë krenari jo vetëm e familjeve të tyre, por edhe fshatrave të tyre, si dhe kësaj Komune, e pse jo edhe me gjerë..
Urojmë që në misionin tonë të shenjtë të kemi sa më shumë suksese në ketë drejtim..!
Ndërkohë, që ne filluam të bëhemi gati t’ia festojmë, fatkeqësisht nuk jemi aty për shkak të pandemisë së shkaktuar në botë. Gjëja më e dhimbshme për një shtet është detyrimi i prangosjes së vatrës së dijes, aty ku fillon shkrim-leximi dhe nuk mbaron asnjëherë.

Nuk mbaron sepse edhe pse është pa njerëz, nuk është e zbrazët. Ajo na mësoi që mësimi nuk duhet ndalur asnjëherë, pra, ne tash po e bëjmë nga shtëpia që kur të kthehemi në bankat e saj do t’ia transmetojmë përgatitjen tonë. Me këtë rast, nxënës të dashur, prindër të respektuar, mësimdhënës të nderuar, URIME DITA E SHKOLLËS!

Me shumë respekt
Drejtori i shkollës
MSc. Flurim ÇENGAJ

Lajme të përafërta

DITËN E PREMTE U REALIZUA TAKIM I ZYRTAR I SHKOLLËS FILLORE “DACAJ”, SHKOLLËS ELMAZ ADEMI DHE SHKOLLËS FILLORE “SEZAI SURROI”

TV OPOJA
April 13, 2019

Dita Europiane e Gjuhëve të Huaja

TV OPOJA
September 26, 2019

Drejtori Cenaj dhe Koordinatori Hoti shpërblyen me libra nxënësit e Dragashit (Video, Foto)

TV OPOJA
February 3, 2020
Exit mobile version