Shefi i shtabit të Lidhjes Demokratike në komunën e Dragashit, Qamil Kolloni, është përfshirë në debatin e Info Magazine të Klan Kosovës, në lidhje me dyshimet për manipulimin e votave të diasporës në këtë komunë.
Kolloni e akuzoi kandidatin e PDK-së për Kryetar të Dragashit se po tenton të prishë një proces, siç tha ai, të mbarëvajtshëm, dhe se në vend të kësaj duhej ta kishte uruar për fitoren kundërkandidatin e tij.
“Në vend se të kishte treguar një civilizim të lartë, të kishte uruar bashkëvendësin e tij për fitore, ai mundohet të plotësojë interesat e grupeve të ndryshme në klanin “Pronto”, dhe i cili është i zënë rob që 4 vjet”, u shpreh Kolloni.
“Ato vota janë më të pastërtat e mundshme të mërgatës sonë dhe vijnë nga shtete dhe qytete të ndryshme, dhe është për çudi se ka dyshime, kur në këto vota janë të bashkangjitura edhe 308 letërnjoftime dhe këta qytetarë janë të pakurruptuar, janë mërgata jonë, njerëzit më të ndershëm”, shtoi tutje Kolloni.
Për numrin më të madh të votave nga diaspora për LDK-në, Kolloni tregoi arsyen.
“Shabani është zgjedhur në momentet e fundit që të kandidojë, mungesa e tij dhe ekipit të tij që të bëj fushatë sa ishte këtu diaspora, bëri që këta të fundit të zgjedhin LDK-në”.
“Ne kemi pritur një numër të madh votash, edhe pritjet tona nuk janë të analizuara”.