Gratë që janë vendosur në pozita drejtuese pas konstituimit të institucioneve të reja të Kosovës kanë marrë vëmendjen shkruan sot televizioni Opoja.
Çështja e përfaqësimit gjinor që dikur ishte problem, nuk përbën diçka të tillë tash në Qeverinë që drejton Albin Kurti.
Janë pesë ministre të emëruara në Qeverinë e re që tejkalojnë pragun e përfaqësimit gjinor të Kuvendit të Kosovës (30 përqind) me 33.33 përqind.
Hykmete Bajrami – Ministre e Arsimit, Vlora Dumoshi – Ministre e Kulturës, Albulena Haxhiu – Ministre e Drejtësisë, Rozeta Hajdari -Ministre e Ekonomisë dhe Emilia Rexhepi – Ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal përbëjnë përqindjen më të madhe të pjesëmarrjes së grave në Qeveri në krahasim me qeveritë e tjera prej shpalljes së pavarësisë, ndonëse tash numri i ministrive për dallim nga herët tjera është më i vogli, 15 sish.
Ekzekutivi i kaluar që e drejtonte Ramush Haradinaj – në ditën e votimit – në përbërje kishte vetëm dy gra, Dhurata Hoxhën – Ministre e Integrimeve, dhe Albena Reshitajn si Ministre të Mjedisit.
Në kabinetin qeveritar me 21 ministra, Hoxha dhe Reshitaj përbënin vetëm 9.5 përqind të përfaqësimit të grave në institucionin e Qeverisë.