TV OPOJA
Opinione

Problemet politike rezultat i mungesës së demokracisë së brendshme të partive politike!

Shkrun Fatmir Halili

Nuk është bllokada e parë për krijimin e qeverisjes pas zgjedhjeve, por nuk do të jetë as e fundit. Janë një mori çështjesh që kanë ndikuar, e që mund të ndikojnë edhe në të ardhmën në krijimin e situatave të ngjashme, siç është kjo e tanishmja.
Para së gjithash, duhet pasur parasysh se, NE nuk jemi vetëm në shtetndërtim, NE jemi edhe në ndërtim të demokracisë si sistem qeverisës, e për më tepër, NE jemi në ndërtim edhe të shoqërisë, që nënkupton ngritjen e vetëdijes shoqërore!

Sistemi qeverisës që jemi duke ndërtuar, DEMOKRACIA, veq tjerash, kërkon edhe një shoqëri ku arsimimi është në një nivel të lartë, e që nënkupton, një shoqëri me një nivel të lartë të edukimit qytetarë. Prandaj, kur kemi parasysh nivelin arsimor të shoqërisë tonë, e me theks të veçantë cilësin që ofrojnë shkollat dhe universitetet tona, pa anashkaluar këtu edhe nivelin prindëror, nuk mund të presim një qeverisje që do të ishte e ngjashme me qeverisjen në Gjermani, Norvegji, apo edhe në Slloveni e Kroaci.

Ngecja në shumë dimensione të shoqërisë tonë, është para së gjithash, rezultat i rrethanave shoqërore dhe historike nëpër të cilat kemi kaluar si shoqëri, dhe shtuar kësaj edhe rrugëtimin jo të mirë politikë të këtyre dy dekadave të fundit. Humbja e racionalitetit politikë, i ka dhënë mundësi dhe fuqi gjuhës së ashpër sharëse dhe fyese, dhe ka shkatërruar gjuhën e argumenteve. Për pasojë, gara politike e cila është dashur të zhvillohet mbi bazën e ideve dhe projekteve politike zhvillimore, ka humbur kundrejtë garës politike të gjuhës së arrogancës, të etiketimeve dhe fyerje, e në disa raste edhe të fërkimeve fizike.

Rrjedha e ngjarjeve politike nëpër të cilat kemi kaluar, dhe po vazhdojm të kalojmë, duhet të jenë një mësim i shkëlqyeshëm drejtë ndërtimit të një demokracie normale në shtetin tonë. Pavarësisht pasojave, këto skena politike që janë duke u servuar muajt e fundit, mund dhe duhet të jenë një edukues i mirë, para së gjithash i partive politike, dhe më pas edhe i votuesit kosovar. Në këtë rast, janë dy momente të rëndësishme, e para, partitë politike duhet të jenë të kujdesshme se cilët persona i avansojnë dhe u japin primatin dhe u besojnë në pozita shtetërore, dhe së dyti, votuesi kosovarë duhet të jetë i kujdesshëm kur e jep votën e tij.

Nga e gjithë kjo, del se gjendja e krijuar, është pasojë ekskluzive e avansimeve të padrejta dhe jomeritore brenda partive, pra, lirishëm mund të thuhet se demokracia partiake vetëm proklamohet nga partitë politike, por në realitet nuk ekziston. Para se të thuhet që kemi një shtet të kapur, apo shprehur më ndryshe, institucione shtetërore të kontrolluara nga një parti politike, duhet të thuhet që kemi parti politike që janë të kapura, ose shprehur më qartë, parti politike të kontrolluara nga individ ose grupe të caktuara, që partinë e trajtojnë si pronë të tyre.

Prandaj, përderisa kemi munges të arsimit cilësor, deficit të qytetarisë, edhe partitë politike nuk mund të pësojnë ndryshim, në këtë drejtim, mos reformimi i partive politike, mungesa e konkurencës normale brenda partive politike, pra, mungesa e demokracisë së brendhme partiake, atëher në këtë kontekst, nuk mund të zhvillohet edhe politikë normale brenda shtetit. Zgjedhjet e fundit partiake të dy partive që pretendojnë të qeverisin në katërvjeqarin e ardhshëm, janë shembulli më i mirë i mungesës së demokracisë së brendshme të partive politike në vendin tonë. Kjo, pa dyshim na jep të kuptojmë se çfarë qeverisje do të kemi gjatë katër viteve të ardhshme, e për më tepër, nuk ka shpresë që edhe pas zgjedhjeve të ardhshme mund të ketë ndryshime pozitive në këtë drejtim.

Lajme të përafërta

Vetëdija shoqërore faktor i rëndësishëm në zhvillimin e shtetit!

TV OPOJA
February 11, 2019

Për çështje nacionale mos kërkoni përfitime politike!

TV OPOJA
September 7, 2018

Arroganca dhe sjelljet jopolitike të dëmshme për demokracinë

TV OPOJA
April 22, 2020
Exit mobile version