Shkruan: Dr. Xhasim el-Mutawa’
I kam pyetur njerëzit e mbledhur rreth meje për dhuratën më të mirë që mund t’ua dhurojmë fëmijëve tanë. Mendimet e tyre për këtë ishin të ndryshme.
Njëri prej tyre tha: “Dhurata më e mirë është tu japim atyre të holla, që ata të disponojnë me to si të duan vetë.”
Një tjetër tha: “Unë mendoj se dhurata më e mirë për ta është që tu bëjmë një surprizë duke ua vendosur një dhuratë të vogël në një kuti të madhe.”
I treti tha: “Më së miri është t’i marrim ata në një qendër tregtare dhe tu themi atyre: “Atë që sot e blini, e keni dhuratë nga unë.”
Idetë filluan të vijnë nga të gjitha anët për llojet e dhuratave, për formën dhe mënyrën e dhënies së tyre për fëmijët.
Unë i shikova dhe u thashë atyre: “Por një dhuratë për të cilën unë po mendoj është e ndryshme nga ajo që keni thënë.”
Ata më shikuan me habi, pastaj unë u thashë atyre: “Unë do t’ju them se çka mendoj në lidhje me dhuratën më të mirë për fëmijët, por pas një tregimi që do t’ua tregoj.”
Një herë, një baba planifikoi të dilte nga shtëpia, kurse djali i tij 7 vjeçar po qëndronte në derë. Djali e pyeti babain: “Babi, ku po shkon?” Babai me nervozizëm iu përgjigj: “Ky nuk është problemi yt as puna jote!” Pastaj e shtyu djalin e tij dhe u largua nga shtëpia.
Kur u ul në makinë, e ndjeu brejtjen e ndërgjegjes, dhe përsëri u kthye në shtëpi. Në shtëpi e gjeti djalin duke qarë në dhomën e tij. Iu afrua dhe i kërkoi falje, kurse djali e pyeti: “Baba, sa kushton një orë kohë në punën tënde?”
Babai, i befasuar që biri i tij i bëri një pyetje të tillë, u përgjigj: “15 dinarë”.
Djali shpejt u ngrit, e mori portofolin e tij, i mori 15 dinarë dhe ia dha babait, duke i thënë: ”Babi, unë dua ta blej një orë të kohës tënde, që sot të vish më herët në shtëpi, që të mund të hash darkë me ne, sepse qysh moti nuk ke ngrënë darkë së bashku me ne.”
Babai u trondit nga reagimi i djalit të tij. U shkreh në vaj dhe e përqafoi djalin, duke i thënë: ”Lëri paratë në portofolin tënd, unë do të vij që të hamë darkë së bashku.”
Pastaj doli nga shtëpia duke menduar për jetën e tij dhe për familjen e tij.
Kur e mbarova tregimin, iu ktheva atyre rreth meje dhe u thash: “Koha është dhurata më e çmuar dhe më e rëndësishme që ne ua japim fëmijëve tanë. Ne shpesh e injorojmë dhe nuk mendojmë për të. Çdo minutë e kaluar me fëmijët tanë i bën ata që të ndjehen të sigurtë, të rehatshëm dhe të inkurajuar. Dhe sa herë që fëmijët ta ndjejnë erën tuaj në shtëpi, edhe nëse ju nuk bëni asgjë me ta, ata ndjejnë fuqi, besim, stabilitet dhe dashuri.”
Me këtë rast dua ta përmend një mik, i cili më ka thënë se një ditë ai ishte kthyer në shtëpi më herët se zakonisht që të rrinte me fëmijët e tij (ai ka katër fëmijë).
Kur hyn në shtëpi, i sheh fëmijët duke luajtur me njëri-tjetrin, kështu që e merr një libër për të lexuar pranë tyre. Pas dy orësh, ai ndjeu se nuk po ju duhej dhe se ata ishin të përkushtuar ndaj lojës së tyre. U nis drejt derës për tu larguar nga shtëpia, por kur e vuri dorën në dorezë, drejt tij vrapoi vajza e vogël 5 vjeçare, e cila e pyeti: ”Baba, ku po shkon?”
Ky i përgjigjet: “Desha të dal pak për shëtitje.”
Ajo i tha: “Jo, por ulu me ne.”
Ai i thotë: “Por unë qëndrova ulur në shtëpi për dy orë dhe asnjëri prej jush nuk e foli asnjë fjalë me mua.”
Ajo e shikoi dhe i tha: “O baba, kur ne luajmë në praninë tënde dhe kur të shikojmë kohë pas kohe, ne jemi të lumtur.”
Babai u prek nga fjalët e saj dhe u kthye në shtëpi. //saff.ba//
Përkthim: Miftar Ajdini