TV OPOJA
Opinione

Njeriu, kafshë apo perëndi?

Batjar Halili (psikolog)

Duke qenë se jemi të fushës psikologjisë shumë persona na drejtohen për të na pyetur për problemet me të cilat përballen në jetën e tyre të përditshme. Probleme që janë kryesisht të lidhura me pyetje të tilla si: Si ka mundësi që një intelektual të keqpërdorë pozitën zyrtare? Si ka mundësi që janë aq amoralë? Si ka mundesi që titujt dhe gradat që mbaritn nuk janë një pasqyrim i sjelljeve të tyre? Si ka mundësi që nuk ka drejtësi, nuk ka besnikëri as vlera shoqerore? Si ka mundësi që njerëzit konformohen me antivlerat? Si ka mundësi që bashkjëton i shkolluari me kriminelin e shumë e shumë pyetje të tjera?…

Të gjitha këto konstatime të vërejtura dhe probleme të paraqitura në këto pyetje lidhen me përkushtimin që investon familja, shkolla dhe shoqëria në edukimin dhe formimin e personalitetit të njeriut dhe me rëndësinë që ka edukimi në ecurinë e rrugëtimit të këtij personaliteti. Duke bërë kështu të kuptohet mendimi i Jose Marti, i cili ishte një mendimtar për edukimin dhe në lidhje me këtë gjë ai shprehet: “Një njëri i paditur është drejt rrugës për t’u kthyer në kafsh, ndersa një njeri i arsimuar dhe i përgjegjëshëm është në rrugën për tu bërë Perëndi. Dhe askush nuk do të ngurronte midis njerëzve – perendi dhe dhe njërzve kafshë.”

Por lind pyetja kur fillon mësimi i njeriut?

Cilat janë institucioet ku më së shumti njëriu merr mësim? 

Njerëzit fillojnë të mësojnë dhe praktikojnë atë që kanë mësuar që nga momenti i parë kur ata lindin. Mësojnë të flasin, të ecin, të hanë, të mësojnë dhe zakone të tjera nga prindërit e tyre me kalimin e kohës. Pra, me kalimin e kohës sonë jetësore, janë disa vlera të cilat i fitojmë nga familja jonë. Këto vlera janë; respekti, dashuria, besimi, besnikëria, ndarja me njerëzit, mirësia, drejtësia, dhe të tilla si të mësuarit nëpërmjet vlerave që marrim nga familja si modele. Këto vlera nuk gjenden paraprakisht në asnjë qenie njerëzore. Një person që nuk rritet nga një ambjent i tillë nuk mund t’i ketë këto vlera. Në këtë kontekst, ne kuptojmë rolin dhe rëndësinë e edukimit në jetën tonë si fëmijë.

Rëndësia e edukimit dhe arsimit në shkollë

Procesi i edukimit dhe arsimit vazhdon që në shkollë. Mësuesit tanë na japin mësime me vite të tëra. Trajnimi kryesor është ajo që ne marrim nga mësuesit tanë. Mësimdhënësit na mësojnë se si të sillemi në shoqëri dhe si të jetojmë. Ata i mësojnë njerëzit si të flasin, të ulen, si të sillen dhe shumë gjëra të tjera. Gjithashtu vlerat morale, për të qenë një person i respektuar, dashurinë njerëzore, për të qenë një njeri human etj. Nëpërmjet edukimit, mësojmë të jetojmë në shoqëri, mësojmë etikën dhe se çfarë është e drejtë dhe çka është e gabuar.

Një rrënjë e paarsimuar e njeriut është si një pemë e dobët

Ne mund të shohim qartë se mungojnë shumë vlera në njerëz që nuk janë të arsimuar, madje edhe disa nga këta njerëz nuk i zhvillojnë ndjenjat e tyre. Kur shohim normat e krimit, shohim se shumica janë të kryera nga njerëz të paarsimuar. Kjo nuk do të thotë që çdo person i cili nuk është i edukuar mund të kryejë një krim, por arsimi parandalon shumë keqkuptime dhe sjellje të dëmshme. Sipas studimeve mbi fushën e edukimit shkalla e krimit është më e lartë në shoqëritë me nivel të ulët arsimimi. Injoranca sjell me vete çdo të keqe, sepse personi i paarsimuar nuk është i vetëdijshëm se është gabim apo po kryen një veprim të gabuar. Përveç kësaj, sa më i lartë të jetë niveli i arsimit, aq më i lartë është niveli i zhvillimit të shoqërisë, por jo si në rastin e Kosovës ku sasi të arsimuarish dhe të diplomuarish kemi shumë, ndërsa cilësi dhe nivel intelektual dhe arsimor jo. Sepse në një shoqëri ku prodhohet, mendohet (ka mendim intelektual) dhe pyetet (shtrohen çështje për diskutime)  është një shoqëri ku ekzistojnë njerëz të arsimuar. E, fatkeqësisht, në Republikën tonë sistemi nuk i mbjell të gjitha rrënjët që janë të nevojshme dhe të domosdoshme për t’u krijuar një pemë e fortë dhe e qëndrueshme, e cila nuk mund të shkatërrohet lehtë. 

 Një pemë me një rrënjë të fortë nuk mund të shkatërrohet lehtë

Sepse arsimi rrit vetëbesimin, shton sigurinë. Njerëzit që ia dalin vetë janë njerëz të fortë dhe të suksesshëm. Njeriu duhet të mësojë dhe të prodhojë në çdo moshë. Njerëzit e vërtetë arsimuar janë shumë të suksesshëm në komunikimin me njerëzit e tjerë. Ata jetojnë si njerëz të respektuar në jetën e tyre shoqërore, jetën e biznesit dhe mjedisin shoqëror që i rrethon, por në disa raste kur triumfon e keqja, në shoqëritë e tyre ata janë persona që nuk konformohen dhe gjenden “në luftë” me të tjerët. Kur ata janë të martuar, ata i rrisin fëmijët e tyre si njerëz të arsimuar dhe të respektuar. Prandaj, arsimi në jetën e njeriut është shumë i rëndësishëm.

Të zhvillojmë shoqërinë tonë

Kemi shumë arsye për të menduar që nuk jemi vonë për ta ndihmuar shoqërinë tonë. Pa marrë parasysh sa jemi të vjetër. Duhet ta shtrijmë dorën tek çdo person që dëshiron të studiojë dhe të dëshiron ta përmirësojë veten, në mënyrë që shoqëria jonë të zhvillohet. Duhet të jemi në gjendje t’u tregojmë njerëzve se mësimi dhe përmirësimi është një gjë e mirë në çfarëdolloj kohe qoftë. Ne duhet të pranojmë se kufijtë tanë janë zgjeruar deri në atë pikë saqë njeriu mendon se asnjë kufi nuk është i pakapërcyeshëm dhe asgjë nuk është e pamundur. Por, pavarësisht këtyre mendimeve baza e të arriturit të këtyre synimeve është pikërisht edukimi i shëndoshë tredimensional; familje, shkollë, shoqëri. Prandaj, po e mbyll me mendimtarin tjetër të edukimit Johan Fredrih Herbart, ku sipas të cilit, edukim është të marrësh mësime nga familja, shoqëria dhe shkolla dhe do të thotë: “Të formosh zhvillimin e karakterit me piksynim përmirsimin e njeriut”.

Lajme të përafërta

Për çështje nacionale mos kërkoni përfitime politike!

TV OPOJA
September 7, 2018

HALILI: Shoqëria kosovare më shumë vuan nga kriza morale, se sa nga varfëria dhe papunësia!

TV OPOJA
April 4, 2019

Nga të gjithë hajnat më të këqinjtë janë ata që vjedhin të vërtetat!

TV OPOJA
February 1, 2020
Exit mobile version