TV OPOJA
Ekonomi

Mundësi për partneritete të reja ndërmjet bizneseve kosovare dhe amerikane

Delegacioni i bizneseve kosovare i cili qëndroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën organizimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë vizitoi edhe shtetin e Nju Jorkut me ç’rast zhvilloi takime me përfaqësues të asociacioneve të biznesit, organizata të inovacionit dhe ndërmarrësisë, si dhe biznese individuale në këtë shtet amerikan.

Delegacioni i bizneseve nga Kosova i udhëhequr nga drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane dhe në shoqërim të Konsulles së Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija u takua me Yvonne Bendinger-Rothschild, drejtore ekzekutive e Odës Ekonomike Evropiano Amerikane me seli në Nju Jork. Në takim u diskutua për progresin e shënuar në Kosovë në aspektin e të bërit biznes, por edhe lidhur me kërkesat që kompanitë kosovare kanë për investitorët amerikanë, ndërsa Bendinger-Rothschild u zotua për mbështetje të kompanive kosovare, përfshirë edhe gjetjen e partnerëve afaristë.

Me mbështetje të Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës, delegacioni pati mundësi të vizitoj edhe organizatën SAP Next Generation në Nju Jork e cila drejton programin e inovacionit dhe ndërmarrësisë që mes tjerash angazhohet edhe për implementimin e Synimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara. Aty u pritën nga zëvendëspresidentja Ann Rosenberg, e cila sqaroi për punën e jashtëzakonshme që bëhet në atë qendër për nxitjen e inovacioneve. Ajo premtoi edhe përkrahjen e saj për zhvillimin e një programi të ngjashëm edhe në Kosovë.

Konsullata e Përgjithshme e Kosovës organizoi edhe një pritje për bizneset nga Kosova të cilët përfaqësonin sektorë si prodhimi, tregtia, shërbimet konsulentë të biznesit, shërbimet e teknologjisë së informacionit, por edhe profesionistët dhe ndërmarrësit shqiptarë, anëtarë të Rrjetit të Profesionistëve dhe Ndërmarrësve Shqiptarë me seli në Nju Jork. Aktiviteti ishte një mundësi e mirë për rrjetëzim dhe shkëmbim të përvojave ndërmjet ndërmarrësve nga Kosova dhe të rinjve profesionistë shqiptarë në Amerikë.

Delegacioni qëndroi edhe në Bronx ku u pritën nga Dren Deva, pronar i kompanisë TV Alb e cila merret me ofrimin e shërbimeve televizive në SHBA. Deva i njoftoi bizneset kosovare për planet e ardhshme të biznesit të cilat përfshijnë ngritjen e një kompanie të distribuimit dhe shitjes, që do të ketë në fokus importimin e produkteve nga Kosova. /TvOpoja

Lajme të përafërta

Pas taksës 100%, rënie drastike e importit nga Serbia dhe Bosnja

TV OPOJA
November 29, 2018

Ministria e Bujqësisë hap periudhën e aplikimit për subvencione me fond prej 25 milionë euro

TV OPOJA
May 30, 2019

Nënshkruhet marrëveshja për eksport nga Kosova pa taksë në këto shtete

TV OPOJA
November 23, 2018
Exit mobile version