Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, i fton të gjithë bashkatdhetarët që të mos nisen drejt Kosovës pa dokumentet e rregullta e të duhura për udhëtim.
Ky njoftim vjen pas masave të marra nga shtetet e rajoni për parandalimin e COVID-19.
Sot Ministria ka bërë përpjekje t’ju vije në ndihmë shtetasve kosovarë të bllokuar në kufirin midis Sllovenisë dhe Kroacisë.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës i fton të gjithë bashkatëdhetarëve që të mos nisen drejt Kosovës pa dokumentacion të rregullt dhe panjohuri për masat kundër pandemisë, të cilat janë në fuqi në vendet nëpër të cilat planifikojnë të kalojnë tranzit”, thanë nga Zyra për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës.
Austobusi i nisur nga Italia drejt Kosovës është ndaluar nga autoritetet, ngase Kroacia kërkon që udhëtarët të kenë dokumentacionin e rregullt (vizë tranzit ose Schengen), ndërsa Mali i Zi nuk i ka hapur kufijtë me Italinë (prej nga janë nisur), ngase ky vend konsiderohet ende si vatër e COVID-19.
Në autobus ndodhen rreth 12 shtetas të Kosovës, ndërsa të tjerët janë shtetas të vendeve të rajonit.
Agjencia e cila ka organizuar udhëtimin është nisur pa kërkuar leje nga institucionet e Kosovës dhe pa i ditur masat që janë në fuqi në vendet nëpër të cilat planifikonte të kalonte tranzit.