TV OPOJA
Aktuale

Haradinaj me mbështetje gjysmake për bashkëkryesimin e dialogut

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Qeveria që ai drejton, janë në kërkim të mbështetjes nga opozita për të marrë rolin prijës në dialogun politik me Serbinë. Dialogu në këtë nivel, kryesisht është udhëhequr nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Por, së fundit, Haradinaj ka intensifikuar përpjekjet e tij që të marrë rol në këtë proces.

Aktualisht, Haradinaj po mbështetet nga dy parti opozitare, Partia Socialdemokrate e cila ka 12 deputetë në Kuvend dhe Alternativa për Kosovën që përfaqësohet nga dy deputetë. Po ashtu, Haradinaj ka marrë edhe konfirmimin e një pjese të shoqërisë civile për angazhim në dialog, nëse ndërkohë arrihet të krijohet një konsensus i gjerë politik.
Por, nisma e Haradinajt, nuk mund të finalizohet përderisa ai të mos ketë mbështetjen edhe të dy partive tjera opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Këto dy të fundit, po insistojnë që vendi të shkojë në zgjedhje dhe dialogu të udhëhiqet nga institucionet e reja që do të dalin më pastaj.
Sido që të jetë, Partia Socialdemokrate dhe partia Alternativa i kanë përafruar qëndrimet me Haradinajn. Këto dy parti politike kanë ofruar edhe miratimin e një rezolute në Kuvend, përmes së cilës do të definohej qartë se kush e përfaqëson Kosovën në dialog.

Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu tha për Radion Evropa e Lirë se për të arritur deri te formimi i një ekipi negociator duhet të miratohet rezoluta, por edhe Ligji për dialogun. Sipas tij, pa një dakordim për rezolutën dhe ligjin, të gjitha çështjet e tjera janë problematike.
“Synimet tona janë të thjeshta dhe të qarta. Për çdo diskutim të kësaj natyre me Serbinë duhet të ketë, të themi, një bashkëpunim të të gjitha forcave në Parlament dhe të ketë një bazë të dokumentuar se si do të bëhet puna. Përtej pozicionit partiak, për ne është i rëndësishme pozicioni shtetëror i Republikës. Për këtë arsye e kemi propozuar këtë rezolutë dhe projektligj”, tha Sejdiu.
Sejdiu nuk ka dashur të komentojë në atë se a mund ta kenë edhe mbështetjen e partive tjera opozitare për nismën rreth miratimit të rezolutës dhe ligjit. Ai tha se po punohet që edhe kërkesat e partive tjera të jenë të përfshira në rezolutë.

“Çka mund të them është se ne jemi duke tentuar që t’i kemi që të gjithë të pajtuar rreth tekstit. Tekst që i përfshinë të gjitha elementet që i kërkojnë partitë opozitare …, e tash a votojnë apo jo, është çështje e tyre”, tha Sejdiu.
Duke e fuqizuar rolin e Qeverisë dhe opozitës në dialog, deputetët opozitarë që po mbështesin Haradinajn, thonë se do të dobësohej edhe pozicioni aktual i presidentit Thaçi në tavolinën e bisedimeve me Serbinë. Zbehjen e rolit të Thaçit e mbështesin të gjithë ata që po e kundërshtojnë idenë e tij për korrigjim apo ndryshim të kufirit.
Deputeti Ilir Deda nga partia Alternativa, nuk është optimist se do të ketë një konsensus ndërmjet partive politike në pushtet e opozitë.
“Nuk kemi parë ende gatishmëri për një konsensus të tillë as nga një pjesë e partitive në pushtet dhe as nga një pjesë e partive në opozitë”, tha Deda.

Për dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thotë Deda, Kuvendi është ai i cili duhet të ketë autoritetin për të vendosur se kush dhe cili ekip do të negociojë. Ai thotë se të gjitha partitë duhet të marrin përgjegjësi për fazën finale të dialogut me Serbinë dhe kjo çështje duhet të shkojë përmes Kuvendit.
Deda thekson se Kosova nuk mund të ketë marrëveshje të mirë me Serbinë, nëse një zyrë, në këtë rast zyra e presidentit, del jashtë kompetencave kushtetues. Andaj, thekson ai, nëse nuk ka unitet dhe konsensus, Kosova do të humbë.
“Me formimin e një grupi të uniteti nuk i merren kompetencat presidenti Thaçi për dialogun sepse ai as që i ka pasur ato kompetenca, ai i ka uzurpuar ato kompetenca. Dhe rrjedhimisht presidenti nuk do të ketë rol aty sepse nuk i ka as me Kushtetutë”, tha Deda.
Sipas deputetit Deda, ndër vite me radhë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte pengesë e unitetit dhe konsensusit.

“Ai që dhjetë vjet e pengon arritjen e konsensusit në Kosovë dhe ne nuk jemi të habitur me të. Ne shpresojmë që partitë politike në vend do ta kuptojnë seriozitetit e situatës në të cilën ndodhemi dhe të mos merren me fatet personale, e individuale dhe politike, por të merren me Kosovën dhe me marrëveshjen të cilën duhet të mbërrihet me Serbinë, e kualiteti i kësaj marrëveshje varet direkt nga uniteti i brendshëm apo mungesës së unitetit”, tha Deda.
Në draft-rezolutën e propozuar nga Partia Socialdemokrate theksohen parimet kryesore të pjesëmarrjes së Kosovës në dialog. Në këtë dokument kërkohet që çdo marrëveshje eventuale me Serbinë të kalojë përmes Kuvendit të Kosovës, dhe se çështje a kufirit të Kosovës me Serbinë të mos vihet në diskutime.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar kohë me parë se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ai do të paraqesë idenë e tij, siç e quan ai, të “korrigjimit të kufirit”.
Sipas presidentit Thaçi, kjo ide nënkupton bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Republikën e Kosovës.
Me ketë ide nuk është pajtuar kryeministri Ramush Haradinaj dhe partitë politike opozitare dhe një pjesë e partive në pushtet.

Lajme të përafërta

Haradinaj kritikon BE-në: Po merreni me taksën, shikoni provokimet që po i bën Serbia

TV OPOJA
January 10, 2019

Haradinaj: Numrin e të punësuarve në Kosovë e kemi rritur!

TV OPOJA
June 29, 2019

Kompania ” Universal Comerc ” ka financuar projektin për ngritjen edhe të një sherife të minares në Fshatin Bellobrad

TV OPOJA
September 13, 2018
Exit mobile version