Fshati Kuk është një ndër fshatrat me bukuri të rrallë të Opojës. Bedri Halimi, përfaqësues i fshatit Kuk, thotë se fshati shtrihet rrëzë Sharrit në lartësinë mbidetare 1150 m. Pasuritë natyrore të Kukit janë kullosat malore, toka fushore dhe ujërat. Sipas shënimeve statistikore fshati në vitin 1865 i kishte 45 shtëpi, rreth vitit 1879 i kishte 40 shtëpi; sipas regjistrimit të vitit 1913 kishte 563 banorë; ndërsa në vitin 1991 i kishte 161 shtëpi me 1625 banorë.
Fshati me legjenda të shumta
Nja nga legjendat e këtij fshati është edhe ajo për djaloshin që kishte dalë për gjah ne malet e Sharrit dhe një shqipe fluturoi sipër tij dhe u ndal në majë të një shkrepi. Shqipja ishte jashtëzakonisht e madhe dhe mbante në çapojntë një gjarpër. Mbas pak shqipja fluturoi prej shkrepit ku kishte çerdhen. Djaloshi u ngjit atëherë në majë të shkrepit, dhe gjeti në çerdhe zogun e shqipes që po luante me gjarprin e mbytur. Por gjarpri nuk ishte vërtetë i mbytur. Befas ai lëvizi, ngrehu kokën, nxori thimthin dhe deshi të pickojë zogun. Në atë çast djaloshi nxori harkun, dhe vrau me shigjetë gjarprin. Mandej ai mori zogun e shqipes dhe u nis kah shtëpia e vet. Befas ai dëgjoi mbi krye zhurmën e krahëve te shqipes.
“Pse ma grabite zogun?” .
Zogu është i imi, sepse unë e shpëtova nga gjarpri që ti nuk e kishe mbytur”, përgjigj djaloshi. “Jepma zogun tim, dhe unë të jap si shpërblim mprehtësinë e syve të mi dhe fuqinë e krahëve të mi. Ti do të jesh i pamposhtur dhe do të quhesh me emrin tim!”.
I riu i dha shqipes zogun e vet. Kur u rrit zogu, ai i sillej mbi krye djaloshit, që tash ishte bërë burrë. Me harkun e vet ai mbyti shumë bisha të pyllit, dhe me shpatën e vet preu shumë armiq të vendit. Ndër të gjitha këto vepra shqipja i printe dhe e drejtonte.
I çuditur nga këto punë, populli e zgjodhi mbret gjuetarin trim“, thuhet në njërën nga legjendat me të cilën mbahej humaniteti dhe atdhetaria gjallë në këtë anë, tregon Halimi.
Toponimet e shumta
Fshati ka lidhje të mira rrugore, shkollën e plotë fillore, ambulancën “Nënë Tereza” disa dyqane tregtare e zejtare, si për punimin e drurit, lëngjeve dhe prodhimin e kaloriferëve etj. Territori i Kukit ka sipërfaqen 6,62 km2 ku jetojnë 1750 banorë në 185 shtëpi. Për nga numri i popullsisë dhe shtëpive është vendbanimi i tretë në Opojë. Mëhallët që e përbëjnë fshatin përputhen me fiset Kelaj, Durakaj, Velaj, Tafaj, Medaj, Hoxhaj dhe Pashtraj. Ndër toponimet, që gjenden në këtë territor veçojmë: Sefos, Ostrika, Baxhak, Ndërvorrëza, Ligatës, Defalle, Livadhe, Begit, Livadhet e mëdha, Rakita, Hederza Lithiza, Ndërlugjez, Lug, Gurthi, Livadhet e Muratit, Stërga, Guri qamë, Mllakat e Danës, Guri i Hakulit, Kodra e Vashave, Rrethi i Pitës, Guri i gat, Gropshta e sipër, Verri rrahës, vija e ahut, Norshinëz, Kroji i Hakmagjes, Të ndahen vijat Kroji Kadis, Kroji Leros, Kroji Gurit gat, Kroji Nusos, Prroji gurëzve, Reka Kukit, Guri gat, Guri çam, guri Hakulit, Guri qenit, Guri i limuar, Guri stërgos, Guri kthyet, Guri shejas etj. Sipërfaqet bujqësore të Kukit janë fushore dhe malore”, tregon Halimi.
Fshati i traditës antike
Treva e Opojës shekuj me radhë ishte territor shtetëror i Bizantit. Pra, Opoja, që për një kohë të shkurtër, në fillim të shek. XII ishte nën pushtetin bullgar. Faktet tregojnë se populli shqiptar përjetoi periudhën me të errët të ekzistimit të vet. Gjatë kësaj kohe Opoja pësoi dëme shumë të mëdha. Shumë fshatra të saj, sunduesit Nemanjiqët i bënë pronë të manastireve të veta, si ai i Shën Arhangjejve, Shën Premtës, etj. Të gjithë banorët u ngarkuan me taksa të mëdha dhe punë të detyruar, që duhet ta bënin për interesat e okupatorit.Bedri Halimi, duke folur për “TV OPOJA” tregon se ka shumë kurbetçinj dhe numri i tyre është i madh dhe është numër lëvizës. Shumë banorë të kësaj ane janë të punësuar në Gjermani, Austri, Itali, Zvicër. Halimi, duke folur për këtë dhembje të përgjithshme të secilit vendbanim shqiptar thotë se shpreson që një ditë ata të kthehen në vendlindje dhe të kontribuojnë në zhvillimin e kësaj ane. Fshati është karakteristikë se ende ka ruajtur traditat e dasmave, por edhe të kanangjeqeve. Pastaj, ajo që e dallon këtë fshat është mirëkuptimi dhe bujaria për mysafirin.