E gjithë kjo u bë me një arsyetim të vetëm, të paqëndrueshëm dhe antishkencorë: „ta kthejmë emrin në shqip, apo ta shkruajmë emrin shqip“.
Them me bindje të plotë, se
emri „Plava“ është i shkruar sllavisht,
ndërsa „Pllava“ është i shkruar shqip.
- Argumenti i parë:
Shkronja „Ll“ (LL) është shkronje vetëm e gjuhës shqipe dhe gjithashtu tingull i gjuhës shqipe. Si tingull haset edhe te anglo-amerikanishtja, rusishtja etj., por JO te serbishtja, kroatishtja, boshnjakishtja etj.…
Shkronja „L“ është po ashtu shkronjë e gjuhës shqipe, por është edhe shkronjë e gjuhëve sllave, por tingulli që përfaqëson kjo shkronjë është tjetër në gjuhën shqipe e tjetër në gjuhët sllave. Në shqip tingëllon „L“ i mprehtë, kurse në sllavishte L i butë diku mes „L“ dhe „Ll“ shqip. Prandaj shkruarja me „L“ është më afër sllavishtes, e ajo me „Ll“ është pastër shqip.
- Argumenti i dytë:
Tabela me emrin „Plava“ është sllavisht.
Tabela me emrin „Pllava“ është shqip.
Dëshmi se është shqip është shkronja shqipe „Ll“ e cila nuk shkruhet kështu në asnjërën nga gjuhët sllave.
- Argumenti i tretë:
Askush, as nga të vjetrit e as nga të rinjtë, nuk e shqipton këtë emër si Plava, por të gjithë si Pllava. As para 200 vjetësh, as dje e as sot.
- Argumenti i katërt:
Etimologjia e këtij emri shpjegon (ka edhe teori tjera) që ky emër rrjedh nga emri „Pllajë“ i cili pra e ka shkronjën „Ll“ në përbërje e jo atë „L“.
Ka me siguri edhe argumente tjera, por besoj se mjaftojnë këto argumente.
Kundërargumentet e paqëndrueshme:
Dikush do të thotë se shqiptimi me „Ll“ i përngjet emrit sllavisht. As ky argument nuk është i qëndrueshëm. Tingulli shqip „Ll“ dallon nga ai i sllavishtes „L“, aq sa edhe tingulli „L“. Tingulli sllavisht „L“ është në mes këtyre tingujve shqip „L“ dhe „Ll“. Mirëpo shkruarja Plava e shqiptimi Pllava e vulos emrin që ka prejardhje sllave. Kjo nuk bën të ndodhë.
E kuptueshme se mallrat nëpër Serbi më lehtë kalojnë nëse në ta shkruan Plava e jo Pllava. Emrat sllavë me qëllim po përdoren nga disa sipërmarrës, shkaku i transportit më të lehtë transit nëpër Serbi. Por me këta emra ata po na i zhdukin gjurmët historike autoktone.
Sapo një turist i huaj ta shohë tabelën „Plava“, ai do të mendojë se ky është një fshat sllav, sepse po quhet „e kaltra“, por kur e sheh „Pllava“ atëherë shkronja „Ll“ e shtyn të kuptojë se ky fshat nuk është sllav, por shqiptar.
Përfundim:
Thirrja ime është që të shkruhet e shqiptohet „Pllava“ e kurrsesi „Plava“. Kërkoj nga kompetentët ne komunë, që së bashku me qeverinë të vendosin emrin e vërtetë të fshatit Pllavë gjithkund nëpër dokumentet shtetërore.
Shikoni komentin e të ndjerit, Logopedit, z. Irfan Bojaxhiu, pedagogut, aktivistit të gjithanshëm dhe human, njeriut më të vjetër nga Pllava, për kohën kur është bërë ky koment.
- Irfan Bojaxhiu thekson:
“Faton, plotësisht pajtohem me ty e kurrsesi me emërimin e ri. Gjithmonë Pllava ka qenë Pllavë, e assesi nuk mund të bëhet Plavë.”
F.P.