Për realizimin me sukses të mësimit në distancë, kërkohet angazhimi i plotë i personelit arsimor.
Edhepse është ndërprerë mësimi, vazhdojnë obligimet profesionale e kontraktuale të të gjitha instancave e individëve të sistemit arsimor – megjithëse në rrethana e formë tjetër të angazhimit për të siguruar mirëqenien shëndetësore të nxënësve e të personelit në kushte të pandemisë COVID – 19. Realizimi i mësimit në distancë nuk është angazhim vullnetar por përmbushje e obligimeve ligjore e profesionale të puntorëve e të autoriteteve arsimore.
Në vijim jepen obligimet specifike personelit arsimor.
Në përputhje me dispozitat përkatëse ligjore, DKA – Dragash vazhdon koordinimin dhe menaxhimin e institucioneve dhe të personelit arsimor në nivel të komunes me fokus në realizimin e mësimit online. Për realizimin e këtij funksioni, DKA – Dragash do të vendosë format e vendimmarrjes, raportimit dhe vlerësimit të performancës së personelit nëpërmjetë të komunikimit të KUFIZUAR fizik dhe komunikimit nëpërmjet të telefonit, kolegjiumit virtual në nivel të DKA-së , rrjeteve sociale, mesazheve elektronike dhe mesazheve tekstuale.
DKA – Dragash do të realizojë kolegjiumin virtual (me zoom.us, facebook, viber ose platforma tjera) ME TË GJITHË DREJTORËT E SHKOLLAVE për informim të rregullt, raportim dhe vlerësim të mësimit në distancë. Pos kësaj dhe sipas nevojës, DKA do të organizojë edhe takime individuale me drejtorë të shkollave – gjithnjë duke pasur para sysh aspektet e sigurisë shëndetësore dhe mirëqenies së personelit.
Shkollat raportojnë në baza ditore në DKA për ecurinë dhe sfidat e organizimit të mësimit në distancë.
DKA identifikon mënyrën më efikase dhe më të sigurtë për komunikim me Këshillin e Prindërve në nivel komunal.
Informatat – asistenca teknologjike
DKA emron:
Fadil Halimin 049 516 838
Admir Halimi 044 561 141
për të shërbyer si pikë informimi dhe që të ofrojë ndihmesë për realizimin e komunikimit online në mes të DKA- Dragash shkollave dhe mësimdhënësve me nxënës e prindër
Shkollat:
Drejtorët e shkollave vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre karshi mësimdhënësve dhe nxënësve të shkollës së tyre. Në përputhje me detyrat e punës koordinojnë organizimin e mësimit në distancë dhe i raportojnë rregullisht DKA-së.
Drejtori i shkollës do të krijojë një grup virtual arsimor me Këshillin e Shkollës dhe me kryetarët e aktivave profesionale në shkollë për të lehtësuar mirëvajtjen e mësimit online në shkollë.
Në rastet kur drejtori i shkollës nuk arrinë realizimin e grupit virtual – atëherë ai / ajo angazhon një mësimdhënës për këtë qëllim.
Kryetarët e aktivave lëndore janë të obliguar të komunikojnë me anëtarët e aktivit me qëllim të përcjelljes së detyrave nga Drejtori dhe Këshilli i Shkollës dhe për përkrahje të mësimdhënësve individualë. Kryetarët e aktivave profesionale këshillojnë mësimdhënësit, u ndihmojnë për tejkalimin e problemeve dhe përcjellin realizimin e kurrikulës bërthamë.
Edhe kryetarët e aktivave komunikojnë aktivisht me kujdestarët e klasave dhe me mësimdhënësit për realizimin e mësimit (përmes komunikimit virtual në zoom.us, facebook, viber ose platforma tjera).
Mësuesit klasorë (1-5):
Janë të obliguar të vazhdojnë angazhimin në kryerjen e detyrave të veta profesionale për realizimin e mësimit online. Mësuesit e klasave 1-5 janë bërthama rreth së cilës organizohen përpjekjet për lehtësimin e mësimit online në paralelet e veta.
Për klasat 1, 2 e 3, mësuesit krijojnë grupe virtuale (në facebook ose viber) me prindërit e fëmijëve të paralelës së vet. Në rast të mungesës së prindërve të një fëmije, mësuesi përfshinë në rrjet një të afërm ose kujdestar të fëmijës.
Përmes këtij rrjeti, mësuesi – mësuesja informon, komunikon, përcjellë, këshillon, dhe mbikëqyrë zhvillimin e mësimit online dhe angazhimin e fëmijëve. Në veçanti mësuesi/mësuesja do të kujdesen për kryerjen e detyrave të shtëpisë dhe pjesëmarrjes në mësim. Mësuesi përcjellë orarin e mësimeve online dhe komunikon me prindërit për angazhimin e rregullt të nxënësve.
Kujdestarët e klasave (për klasat 6-9 dhe 10-12):
Janë të obliguar të vazhdojnë angazhimin në kryerjen e detyrave të veta profesionale për realizimin e mësimit online. Kujdestarët e klasave janë bërthama rreth së cilës organizohen mësimdhënësit në përpjekjet për lehtësimin e mësimit online në klasat e veta (6-12).
Kujdestarët e klasave organizojnë grupe virtuale me nxënësit e paralelës së vet. Të gjithë mësimdhënësit e angazhuar në punë me këtë klasë organizohen rreth kujdestarit të klasës.
Kujdestari i klasës përcjellë orarin e mësimeve online dhe komunikon me prindërit për angazhimin e rregullt të nxënësve.
Mësimdhënësit (1-12):
Janë të obliguar të vazhdojnë kryerjen e detyrimeve të veta profesionale duke u fokusuar në lehtësimin e realizimit të mësimit online.
Këtë do ta realizojnë duke krijuar grupe virtuale me prindërit dhe nxënësit e vet.
Detyra e mësimdhënësve është përcjellja e mësimit online, përkujdesja për aktivizimin e rregullt të nxënësve, përkujdesjen dhe përcjelljen e kryerjes së detyrave të shtëpisë, këshillimin e nxënsve për tejkalimin e sfidave, shpjegimin e pjesëve më të vështira, mbajtjen e evidencave e të tjera.
Mësimdhënësit përcjellëin orarin e mësimeve online dhe komunikojnë me prindërit për angazhimin e rregullt të nxënësve.
Prindërit:
Prindërit, sidomos ata që kanë fëmijë të moshës së re (klasat 1-3), janë pikat kryesore për realizimin e mësimit online. Prindërit janë faktori më i rëndësishëm për realizimin e mësimit. Ata mbajnë kontakt të rregullt me mësimdhënësit/mësuesit dhe me kujdestarët e klasave për të siguruar realizim sa më serioz të mësimit online.
Udhëzime për realizimin e mësimit online për SHML “Ruzhdi Berisha”
Pas shqyrtimit të mundësive të ndryshme përkitazi me mësimin në distancë për arsimin e mesëm të lartë, DKA kërkon të fillojnë përgatitja e SHML “Ruzhdi Berisha” që të zhvillojnë mësimin në distancë me nxënësit në mënyrë të decentralizuar në nivel shkolle dhe mësimdhënësit në nivel klase. Kërkohet nga shkolla që të fillojnë përgatitjet për zbatimin e mësimit online prej datës 30 mars 2020 me mundësi që tri ditët e para të shërbejnë për akomodim të mësimdhënësve dhe strukturave.
Udhëzime:
Kjo formë është më e sigurtë për mësimdhënësit, sepse nuk rrezikojnë largimin nga kushtet e karantinimit ose të distancës sociale (qoftë edhe në rastet kur individualisht prezantojnë nga shkollat).
Kushtet teknologjike: Për këtë kërkohet njohja e aplikacioneve si: Zoom, Microsoft Teams. Mësimdhënësit ose shkolla mund të përcaktohen edhe për aplikacione të tjera si për shembull Facebook, Google Meet, Google Classroom e të tjera. .
Shumica e përdoruesve të Facebook, përfshirë mësimdhënësit, ose janë pjesë e ndonjë grupi të mbyllur në facebook ose kanë krijuar vet ndonjë grup të tillë. Nga mësimdhënësit do të kërkohej të krijonin grupe të tilla me nxënësit dhe të punojnë në zbatimin e mësimit online.
Vërejtje: Në mënyrë strikte të bëhet përdorimi i këtyre platformave në përputhje me kriteret më të larta etike të profesionit.
Përparësitë: Nxënësit dhe mësimdhënësit janë më të familiarizuar me këto aplikacione dhe përmes tyre lejohet edhe ndërveprimi dhe shfaqja e audio dhe video materialeve të ndryshme në ekran.
Vështirësitë: kërkohet qasja e mirë në internet dhe shkathtësi të një numri të mësimdhënësve për përdorim të aplikacioneve të reja.
Format plotësuese
1.Realizimi i mësimit online i fokusuar në disa lëndë të përgjithshme:
(1) Gjimnazet gjuhësore do të përqendroheshin në lëndët gjuhë, matematikë dhe gjuhët kryesore, ndërkaq gjimnazet shkencore do të përqendroheshin në gjuhë, matematikë dhe shkenca natyrore e të tjera sipas tipit të gjimnazit.
(2) Shkollat profesionale: Realizojnë mësimin online në lëndët e përgjithshme (gjuhë amtare, matematikë, gjuhë e huaj e të tjera), ndërsa pas rifillimit të mësimit organizojnë mësimin
Pas rifillimit të mësimit, mësimdhënësit e lëndëve kryesore e të përgjithshme që kanë realizuar mësimin online, angazhohen në përkrahjen e nxënësve për testimet e duhura (përsëritje, vlerësim, kontrollim i portfoliove etj), dhe në përkrahjen e realizimit të mësimit bllok sipas vlerësimit të menaxhmentit të shkollës.
Përdorimi i platformave të tjera (përfshirë në gjuhë të huaja), si për shembull platforma në gjuhën angleze Khan Academy (https://www.khanacademy.org/) e cila ofron kurse online të organizuara sipas viteve të shkollimit dhe lëndëve.