TV OPOJA
Ekonomi

Çmimet e disa artikujve janë rritur deri në 10 për qind

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raportin e çmimeve të konsumit për muajin mars, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, çmimet e produkteve themelore ushqimore kanë pësuar rritje. Sipas ekonomistëve, shtrenjtimi i çmimeve është bërë për shkak të pandemisë.

Për një litër vaj luledielli qytetarët tash po paguajnë mesatarisht 25 centë më shtrenjtë se një vit më parë. Pos vajit, çmimet u janë shtrenjtuar edhe produkteve të tjera të konsumit si miellit, orizit, vezëve, duhanit, druve të zjarrit e derivateve. Kështu thotë raporti i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, i muajit mars, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, çmimet e konsumit janë rritur 1.2 për qind.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,2 për qind në muajin mars 2021 krahasuar me muajin mars 2020. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet: buka dhe drithërat (2,5%), qumështi, djathi dhe vezët (2,5%), vajrat dhe yndyrat (10,3%), ujë, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (1,3%), pijet alkoolike (2,5%), duhani (4,6%)”, thuhet, ndër të tjera, në raportin e ASK-së.

Sipas profesorit universitar Musa Limani, rritja e çmimeve ka ndodhur si pasojë e ndikimit negativ që pandemia ka pasur globalisht në ekonomi.

“Në ekonominë e Kosovës inflacioni është importues për arsye se diku deri në 80 për qind të të mirave materiale i importojmë nga vendet e tjera. Ndaj, siç dihet, për shkak të epidemisë ekzistuese i ka kapur kriza ekonomike të gjitha vendet, prandaj me rastin e importimit të mallrave, ne importojmë edhe inflacionin, përkatësisht ngritjen e çmimeve”, ka thënë ai.

Megjithëse ekonomia e Kosovës është e bazuar në ekonomi të tregut të lirë, Limani ka theksuar se duhet të ketë ndërhyrje të menjëhershme të shtetit, qoftë me përcaktimin e çmimeve për produktet themelore ushqimore, qoftë me inspektim apo edhe me rezerva shtetërore. Në të kundërtën, Limani thotë se ngritja e çmimeve do ta rëndojë edhe më shumë standardin e jetës në Kosovë.

“Inflacioni shprehet negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit dhe ndikon në uljen e standardit jetësor të popullsisë. Prandaj inflacioni, përkatësisht ngritja e çmimeve është element ose faktor negativ në zhvillimin ekonomik. Në qoftë se edhe më tutje vazhdohet me ngritjen e çmimeve, normalisht se ato do të shprehen në ngadalësimin e proceseve ekonomike dhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, ka deklaruar ai.

E sipas ish-kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, gjeneza e rritjes së çmimeve ka ardhur që nga marsi i vitit të kaluar, kur edhe është shfaqur pandemia. Ai thotë se shtrenjtimi i shportës familjare prej 20-30 euro më shtrenjtë për produktet e njëjta është katastrofale për qytetarët të cilët përveçse janë prekur nga pandemia, nuk kanë pasur as ndihma të mjaftueshme nga shteti.

“Qytetarët janë duke e vërejtur një ngritje të heshtur të çmimeve, në veçanti të produkteve bazike për jetë. Gjeneza e kësaj ngritjeje është definitivisht viti 2020 në mars, kur është paralajmëruar pandemia COVID, e që ka ndodhur një rritje e pakontrolluar e çmimeve”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Sipas tij, janë një varg efektesh zinxhir që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve, mes tyre ai thotë se është edhe çrregullimi i tregjeve botërore për shkak të rënies së produktivitetit nga pandemia, por edhe mbyllja e Kanalit të Suezit për disa ditë që ka gjeneruar humbje dhe vonesa në furnizim me produkte.

“Është një tentativë e bizneseve që për hir të masave strikte të mbylljes dhe të afarizmit të tentojnë ta shfrytëzojnë këtë momentum që në një kohë të shkurtër të krijojnë fitime më të larta që të minimizohen humbjet në dimensionin kohor të shkaktuara nga COVID-19. Por e tëra kjo është një obligim shtesë për institucionet që të ketë inspektorat, të ketë monitorim”, ka thënë ai.

Lajme të përafërta

Taksa e Kosovës e rrezikon “fondin e zi” të Serbisë

TV OPOJA
November 12, 2018

Haradinaj: KEDS dhe KEK nuk janë në gjendje t’i realizojnë detyrat e veta

TV OPOJA
November 23, 2018

Tatimi në tokë nis nga ky vit, gjoba për ata që nuk paguajnë

TV OPOJA
April 24, 2019
Exit mobile version