Biznesmeni i njohur nga Kosova që është pronar i kompanisë “Meka Halal Food”, Burim Piraj ka marrë gjatë ditës së sotme një vendim shumë të rëndësishëm për punëtorët e kompanisë së tij njofton televizioni Opoja.
E ky vendim i afaristit Piraj erdhi pasi dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qeveria e tij do të punojë në rritjen e pagës minimale në sektorin privat.
“Është absurde që paga minimale në sektorin publik të jetë mbi 500 euro, ku në pesë vitet e fundit ajo është rritur për 100 euro. Kjo rritje nuk ka ndodhur as për 15 euro në sektorin privat. Shteti duhet të ndihmojë këtu sepse kjo nuk mund të jetë në rregull dhe nuk mund të ketë pagë nën 350 euro”, ka thënë kryeministri Kurti.
Kështu thirrjes së kryeministrit Kurti sot i është përgjigjur bisnesmeni i njohur kosovar, Burim Piraj.
Ai përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se që nga sot në kompaninë e tij “Meka Halal Food”, paga minimale do të jetë 350 euro neto, duke përfshirë edhe sigurimin shëndetësor dhe atë të pensioneve.
Piraj, ka deklaruar se ky vendim hyn në fuqi menjëherë në ditën e sotme.
Duhet theksuar se paga prej 350 euro do të jetë më e vogla pavarësisht punës që kryer, pasi në këtë kompani paga mesatare është më e lartë.
Madje, kompania “Meka” është e njohur edhe për trajtimin që u bënë punëtorëve të saj, duke u dhënë brenda vitit nga 13 dhe 14 rroga.
Kompania “Meka”, në vitin 1992 ka filluar aktivitetet e saja prodhuese duke nxjerrë në treg suxhuk, kurse më vonë fillon prodhimin e produkteve të tjera siç janë; sallamë, proshutë, salsiçe, pashtetë, rriskë të gjedhit, si dhe gjella të gatshme të konzervuara.
Kjo kompani është e çertifikuar me standarde ndërkombëtare për cilësi në prodhimin e produkteve HALAL.
Cilësia e produkteve ka bërë që të jetë fituese e shumë çmimeve vendore e ndërkombëtare.
Në vitin 2015 në Gjenevë të Zvicrës, MEKA u shpërblye nga organizata BID me medaljen e artë për cilësi të lartë të produkteve dhe të menaxhimit.
Këtë shpërblim MEKA e fiton në konkurrencë e sipër me kompani të mëdha botërore për përpunimin dhe prodhimin e mishit.