TV OPOJA
Aktuale

Katër anëtarë të Bordit kërkojnë shkarkimin e drejtorit të AKP-së

Skender Komoni, drejtor në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), ka iniciuar shkarkimin e drejtorit menaxhues të AKP-së, Ekrem Hajdari, nismë kjo që është mbështetur edhe nga tre anëtarë të tjerë të Bordit: Avni Ajdini, Qemajl Behrami dhe Bekim Selimaj.
Mocioni për shkarkimin e Ekrem Hajdarit i është dërguar kryesuesit të Bordit të AKP-së, Petrit Gashi dhe është propozuar që të jetë në rend të ditës nesër (të premten) kur edhe do të zhvillohet mbledhja e radhës e Bordit.
Shkarkimi i Hajdarit, sipas propozuesit të mocionit, është mbështetur me gjendjen në AKP, e cila sipas tyre karakterizohet me ngecje në zbatimin e politikave të Bordit të Drejtorëve lidhur me përfundimin me sukses të procesit të privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore.
Ngecjet në AKP ata ia kanë atribuuar “menaxhimit jo të mirë dhe joefikas nga ana e drejtorit menaxhues të kësaj Agjencie, Ekrem Hajdari”.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka kërkuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit rendin e ditës së mbledhjes së nesërme, mirëpo ata kanë refuzuar të dërgojnë.
Megjithatë, zëdhënësi i AKP-së, Veton Hajdini, e ka pranuar se kërkesa e anëtarëve të Bordit të AKP-së ka hyrë në rend të ditës.
“Po, propozimi i disa anëtarëve te Bordit është në agjendë. Ky propozim sipas nenit 7.2 te aktit nënligjor Statuti i Bordit është dërguar me shkrim dy dite pune para mbledhjes së Bordit”, thuhet në përgjigjen e Hajdinit dërguar “Gazetës Jeta në Kosovë”.
Iniciuesi i shkarkimit të Hajdarit e ka mbështetur mocionin në nenin 15 i Ligjit për AKP-në, ku sipas tyre Bordi ka përgjegjësi të përgjithshme për aktivitetet e Agjencisë.
“Dhe në këtë drejtim neve si drejtorë të Bordit jemi të bindur që të gjeturat e specifikuara janë të mjaftueshme dhe të arsyeshme që të vendoset lidhur me mocionin e shkarkimit të drejtorit menaxhues të kësaj Agjencie, krejt kjo për qëllime të funksionalizimit më të mirë të Agjencisë”, përfundon kërkesa për mocionin për shkarkim të Ekrem Hajdarit nga pozita e drejtorit menaxhues të AKP-së.
Shkarkimi i drejtorit menaxhues, në bazë të ligjit të AKP-së, mund të bëhet me votat e pesë anëtarëve të Bordit, siç njihet ndryshe si shumica e kualifikuar.
Neni 15 i Ligjit të AKP-së thotë se vendimi për shkarkimin e drejtorit menaxhues mund të merret me shumicë të kualifikuar të anëtarëve të Bordit.
“Emërimi apo shkarkimi i drejtorit menaxhues, zëvendësdrejtorit menaxhues ose ndonjë zyrtari tjetër, emërimi i të cilëve është rezervuar për Bordin”, thuhet në paragrafin 2 të nenit 15.
E në nenin 14 është shpjeguar se çka nënkupton shumica e kualifikuar.

“Kur për një vendim të caktuar sipas këtij Ligji ose rregulloreve të Agjencisë nevojitet shumica e kualifikuar, vendimi do të merret me së paku pesë (5) vota pozitive”, thuhet në paragrafin 7 të nenit 14 të Ligjit të AKP-së.

E mocioni deri në ditën e propozimit është përkrahur vetëm nga katër anëtarë të Bordit.
Ekrem Hajdari, drejtori i AKP-së, thotë se kërkesa për shkarkim është e pabazuar dhe tendencioze.
“Kjo kërkesë nuk ka të bëjë fare me arsyet rreth performancës sime gjatë mandatit si drejtor menaxhues, ngase rezultatet përgjatë këtyre 2 viteve të fundit dëshmojnë një gjendje rrënjësisht të përmirësuar të performancës së Agjencisë”, ka thënë Hajdari.
Ai ka thënë se iniciuesi i shkarkimit të tij ka tentuar edhe në të kaluarën ta shkarkojë, por nuk është përkrahur nga anëtarët tjerë të Bordit.
“Me ardhjen e anëtarëve të rinj në Bord dhe për faktin që këta drejtorë akoma nuk kanë arritur të njoftohen me punën e deritanishme dhe sfidat që kemi përpara, po ky drejtor i Bordit ka shfrytëzuar këtë situatë dhe ka arritur që përmes metodave manipulative që të bindë edhe 4 anëtarë të tjerë për të votuar këtë mocion shkarkimi”, ka thënë ai.
Ai thotë se është vlerësuar nga Bordi i drejtorëve për performancën, duke iu referuar një qëndrimi të kryetarit të Bordit të AKP-së që është pjesë e raportit vjetor të 2017-ës.

7 arsyet për shkarkim

Në mocionin e anëtarëve të Bordit të AKP-së janë radhitur shtatë arsye për të mbështetur shkarkimin e Ekrem Hajdarit.
Vonesat dyvjeçare në funksionimin e strukturës organizative të Agjencisë dhe moskompletimi i komisioneve dhe pozitave vakante janë radhitur si arsyeja e parë për shkarkimin e Hajdarit.
Edhe mosofrimi i informatave për nevoja të Bordit të Agjencisë lidhur me statusin e njësive të Trepçës që kanë mbetur jashtë Ligjit për Trepçën është radhitur si arsye e dytë.
Një nga arsyet për shkarkim, Komoni ka thënë se është edhe fakti që Hajdari nuk ka dhënë sqarim rreth çështjes së Moratoriumit të Dhomës së Posaçme në raport me njësitë e Trepçës që kanë mbetur jashtë Ligjit për Trepçën.
Lista me arsyetime e drejtorëve të Bordit të AKP-së vazhdon me atë se Hajdari nuk ka raportuar në Bord lidhur me shpenzimet, qëllimin e vizitave të tij jashtë Kosovës.

Arsyeja tjetër e potencuar te mocioni i shkarkimit është edhe emërimi jashtë procedurave dhe në kundërshtim me vendimet e Bordit i një pozite të nivelit drejtues.
“Mospërfillja e Raportit rekomandues të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës lidhur me të gjeturat për emërimin ushtrues detyre i disa zyrtarëve të lartë, shkeljet e konstatuara në institucionin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, thuhet në arsyen e gjashtë që është listuar në mocionin për shkarkimin e Ekrem Hajdarit.
Arsyeja e shtatë është se drejtori menaxhues i AKP-së, Ekrem Hajdari, ka dështuar për të finalizuar të gjithë SDR-në.
“Gazeta Jeta në Kosovë” ka dërguar pyetje te Skender Komoni, iniciuesi i këtij mocioni, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje nga ana e tij.
Po ashtu, “Gazeta Jeta në Kosovë” ka kontaktuar me drejtorin e Bordit të AKP-së, Avni Ajdini, i cili është njëri nga mbështetësit e mocionit për shkarkimin e Ekrem Hajdarit.
Ajdini nuk ka pranuar të japë arsyetimin se pse e ka mbështetur mocionin për shkarkimin e Hajdarit.
“Po shkoni ju në shërbimin juridik, ju kisha lutë edhe ata ju tregojnë. Unë mendimin tim mundem me ua dhënë për Sindikatë (BSPK). Ne e kemi strukturën e cila ju jep informacione për këtë në AKP… Merrni përgjigje prej burimeve të shëndosha në AKP”, ka deklaruar Avni Ajdini.

Sqarimet e Hajdarit

“Gazeta Jeta në Kosovë” e ka pyetur Ekrem Hajdarin nëse janë të qëndrueshme arsyet që i kanë listuar anëtarët e Bordit për shkarkimin e tyre.
Hajdari ka kthyer përgjigje të detajuar në secilin prej pretendimeve të anëtarëve të Bordit.
Sa i përket arsyes së parë, Hajdari ka listuar veprimet që i ka ndërmarrë që nga koha kur është marrë vendimi nga Bordi i drejtorëve të AKP-së, në dhjetor të vitit 2016, për riorganizimin e Agjencisë.
Hajdari ka thënë se gjashtë muaj është punuar në Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës.
Ai ka thënë se me miratimin e Rregullores më 1 qershor 2017, ka filluar zbatimi i skemës së re organizative duke u realizuar ndryshimet sipas strukturës së re organizative përmes emërimeve direkte dhe transfereve të brendshme.
Hajdari thotë se inicimi i proceseve të rekrutimit është penguar teknikisht nga faktorët e jashtëm si Ministria e Administratës Publike (MAP) e cila 1 vit nuk ka qenë e gatshme të aprovojë klasifikimin e pozitave të punës së zyrtarëve të Agjencisë duke mos i integruar ato në Katalogun e pozitave të shërbyesve civilë.

“Si rrjedhojë AKP nuk ka mund të iniciojë asnjë proces të rekrutimit pa autorizimin paraprak nga MAP, gjë që ka prolonguar me muaj të tërë implementimin e procesit të ristrukturimit në Agjenci”, thuhet në përgjigjet e Hajdarit.
Ai ka dhënë përgjigje edhe për njësitë e Trepçës që kanë mbetur jashtë Ligjit për Trepçën. Hajdari ka thënë se AKP nuk është në dijeni se cilat asete të Trepçës do të cilësohen si jothelbësore nga Bordi mbikëqyrës i Trepça Sh.A., dhe rrjedhimisht cilat mbesin në menaxhim të AKP, siç përcakton paragrafi 1 i  nenit 14 i Ligjit për Trepçën. Kjo për shkak të zvarritjeve të punëve nga ana e Qeverisë për funksionalizim të Trepçës.
“Duke qenë se Bordi i AKP-së ka qenë gjithmonë i njoftuar për këto rrethana dhe obligime ligjore siç përshkruhen më lartë, konsideroj që s’ka çfarë informate të ofrohet më tepër meqenëse nuk kanë ndryshuar fare rrethanat”, thuhet në përgjigjet e Hajdarit.
Edhe sa i përket çështjes së Moratoriumit të Dhomës së Posaçme në raport me njësitë e Trepçës që kanë mbetur jashtë Ligjit për Trepçën, Hajdari ka thënë se është e lidhur me funksionalizmin e ndërmarrjes Trepça, ku aksionar kryesor është Qeveria e Kosovës. Ai ka dhënë shpjegime të detajuara edhe për këtë arsye.
Hajdari ka thënë se të gjitha vizitat jashtë Kosovës janë bërë me miratim të kryesuesit të Bordit të drejtorëve të AKP-së.
Thotë se rezultatet e vizitave jashtë vendit dhe promovimeve të aseteve të NSh-ve janë evidente dhe reflektohen në ngritje evidente të performancës dhe kredibilitetit në të gjitha fushat.

E sa i përket shpenzimeve, Hajdari ka thënë se ato janë të pasqyruara në raportin e shpenzimeve.
“Shpenzime raportohen përmes pasqyrave të rregullta financiare që dërgohen edhe në Bord por edhe për faktin që këto shpenzime të miat si drejtor menaxhues për këtë periudhë të promovimit jashtë vendit, janë 4 herë më të ulëta krahasuar me ato në vitet kur unë nuk kam qenë drejtor menaxhues dhe kur performanca e Agjencisë ka qenë shumë më e zbehtë”, thotë Hajdari.
Arsyeja tjetër e potencuar te mocioni i shkarkimit është edhe emërimi jashtë procedurave dhe në kundërshtim me vendimet e Bordit i një pozite të nivelit drejtues.
Por, Ekrem Hajdari ka thënë se asnjëherë nuk e ka marrë ndonjë vendim në kundërshtim me çfarëdo vendimi të Bordit apo procedure tjetër ligjore.
Drejtori menaxhues i AKP-së ka përmendur se gjatë mandatit të tij drejtorit të  Departamentit të Burimeve Njerëzore vetëm i është ndryshuar emërtimi i pozitës aktuale – Menaxheri i Burimeve Njerëzore, gjë që sipas Hajdarit nuk reflekton me ndryshim të gradës, hapit, pagës, detyrave dhe përgjegjësive aktuale.

“Andaj menaxherit aktual të Burimeve Njerëzore i është ndryshuar vetëm emërtimi i pozitës në Aktin e Emërimit! Ky post nuk ka qenë i lirë”, ka thënë Hajdari në përgjigjen e tij.
Hajdari ka dhënë përgjigje edhe sa i përket akuzës për “mospërfilljen e Raportit rekomandues të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës lidhur me gjetjet për emërimin ushtrues detyre të disa zyrtarëve të lartë”.
“Në fund të këtij viti do kemi vetëm 3 zyrtarë në ushtrim detyre (në zëvendësim të 2 zyrtarëve të suspenduar dhe 1 me pezullim të dakorduar. Zyrtarja në pushim lehonie do kthehet në nëntor dhe proceset e rekrutimit për 3 pozitat tjera të lira do finalizohen deri në fund të nëntorit 2018)”, ka potencuar Hajdari.
Arsyeja e shtatë është se drejtori menaxhues i AKP-së, Ekrem Hajdari ka dështuar për të finalizuar të gjithë SDR (Status Determination Report), që janë raporte finale që përcaktojnë statusin e një ndërmarrje nëse është NSh apo jo.
Ai ka thënë se deri më tani ka arritur t’i finalizojë 74 raporte të tilla, aq sa kanë qenë.

“Dy SDR-të e fundit do t’i prezantohen Bordit në mbledhjen e radhës të muajit nëntor”, tha Hajdari, duke shtuar se prioritet e ka pasur identifikimin e aseteve që nuk janë në regjistrat e AKP-së.
“Vetëm në vitin 2017 kemi identifikuar 36 asete të reja që më parë nuk kanë qenë nën administrim të AKP-së. Në vitin 2018 janë identifikuar 9 asete të reja andaj edhe për të gjitha këto raste janë përgatitur SDR-të relevante dhe janë dërguar në Bord”, ka thënë Hajdari.
“Gazeta Jeta në Kosovë” i ka dërguar pyetje iniciuesit të mocionit për shkarkim, Skender Komoni, mirëpo ai nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të shkrimit.
Ai është pyetur për arsyet e shkarkimit, por edhe për shkeljet e cekura në mocionin e dërguar te kryesuesi. Komoni është pyetur edhe nëse do t’i propozojë Bordit ndonjë person për të zëvendësuar Hajdarin.
Ekrem Hajdari është zgjedhur drejtor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit në muajin maj të vitit 2016, pa iu nënshtruar konkursit të rregullt. Atë e ka emëruar në këtë pozitë Bordi i AKP-së, pa kundërkandidat.
Më poshtë gjeni të bashkëngjitur mocionin për shkarkimin e drejtorit menaxhues të AKP-së, Ekrem Hajdari.

Lajme të përafërta

„Dilenxhillëku“ i Drejtësisë së Kosovës dhe i prokurorit të Gjykatës së Ferizajt z. Maloku me rastin e arrestimit të Bedri Halimit.

TV OPOJA
January 8, 2022

Haradinaj: KEDS dhe KEK nuk janë në gjendje t’i realizojnë detyrat e veta

TV OPOJA
November 23, 2018

Politika dhe institucionet të dominuara nga burrat

TV OPOJA
November 4, 2018
Exit mobile version