Komuna e Prizrenit në faqen e saj zyrtare në fejbuk, ka njoftuar se Biblioteka e qytetit në Prizren është furnizuar me gjithsej 2843 libra prej 325 titujve të ndryshëm.
Këto libra janë prej lëmive të ndryshme, duke filluar nga lektyrat shkollore e deri tek librat shkencorë, që do t’i shërbejnë nxënësve, studentëve, por edhe gjithë qytetarëve të komunës së Prizrenit.
Furnizimi i Bibliotekës me libra është mundësuar nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërkaq përzgjedhja e titujve është bazuar sipas kërkesave të lexuesve të rregullt të Bibliotekës.
Përveç Bibliotekës së Qytetit që gjendet në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”, këto libra do të jenë në dispozicion edhe të lexuesve në bibliotekat e fshatit Gjonaj, Zym, si dhe lexuesve të 22 fshatrave të komunës nëpërmjet shërbimit të libërbusit.
Kjo është hera e parë që Biblioteka e Qytetit furnizohet me libra nga ana e Komunës së Prizrenit, thuhet në njoftimin e publikuar.