TV OPOJA
Islame

As këtë vit nuk nis ndërtimi i Xhamisë Qendrore në Prishtinë

Ndërtimi i Xhamisë së Madhe në Prishtinë pritet të fillojë në pranverën e vitit të ardhshëm, ka bërë të ditur zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu.
Ai ka thënë për Radio Kosovën se ngecjet e deritashme janë bërë nga Bashkësia Islame e Turqisë, e cila është projektuese dhe financuese e projektit.
Kurse, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë se janë në pritje të kërkesës për leje ndërtim, të cilën do ta trajtojnë në bazë të Ligjit për Ndërtim.
Fillimi i vitit të ardhshëm do të jetë koha kur edhe pritet të fillojë ndërtimi i objektit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, lokacioni i të cilës është afër Postës së Madhe në kryeqytet, ka bërë të ditur për Radio Kosovën, zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu.
Kurse, sa i përket vonesave të këtij projekti, Sadriu ka thënë se nuk ka shumë informata, pasi që përgjigjet që BIK i ka pranuar nga Bashkësia Islame e Turqisë, e cila është edhe financuese e projektit, nuk kanë qenë bindëse.

“Ata ende nuk e kanë sjellë projektin detal. Kemi pasur disa çalime dhe vonesa në këtë aspekt. Kemi kërkuar përgjigje, i kanë ata arsyet e veta, për të cilat, megjithatë nuk janë ndoshta bindëse. Ne kemi insistuar pse kjo vonesë kaq e madhe, por ata i kanë dhënë përgjigjet e veta rreth projektit, jo nuk kemi mundur ta bëjmë, arsye të ndryshme, po them.” tha Sadriu.
Sipas Sadriut, aktualisht janë duke u bërë disa analiza në parcelën ku do të ndërtohet xhamia, me qëllim që të analizohet vendi pasi që bëhet fjalë për një thellësi të madhe ku do të vendoset parkingu nëntokësor si dhe për shkak të pjerrtësisë së terrenit.Ndërsa, kërkesën për leje të ndërtimit të xhamisë është duke e pritur edhe Komuna e Prishtinës.
Zëdhënësi Adonis Tahiri ka thënë për Radio Kosovën se në momentin që do ta kenë kërkesën për leje të ndërtimit, atë do ta trajtojnë bazuar në Ligjin për Ndërtim në Republikën e Kosovës.
Tahiri tha se “BIK ka kërkuar kushtet ndërtimore që është fazë paraprake para aplikimit për leje, dhe kushtet ndërtimore i ka marrë vitin e kaluar. Që nga atëherë ende nuk kanë aplikuar për leje të ndërtimit. Kushtet ndërtimore e kanë një afat të caktuar dhe BIK sivjet ka kërkuar që ky afat të zgjatet derisa ata të bëhen gati për të aplikuar për leje. Ne i kemi kthyer përgjigje pozitive dhe tani jemi në pritje të BIK-ut që të aplikojë për leje, në mënyrë që të procedojmë tutje.”

Gurthemeli për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë është vënë në vitin 2012. Ndërtimi i xhamisë fillimisht ishte paraparë që të përfshijë një hapësirë prej rreth 50 mijë metrave katrorë, mirëpo, sipas Ahmet Sadriut, për shkak të vendit të papërshtatshëm, projektit i janë larguar dy nivele të parkingut nëntokësor, gjë që pritet të ketë rreth 40 mijë metra katrorë.
Projekti parashihet të kushtojë deri në 40 milionë euro dhe të përfshijë objektin e xhamisë bashkë me hapësira përcjellëse si: librari, dhoma për ligjërata, sallë për aktivitete të ndryshme si dhe shitore me suvenire.
Ndërtimi i xhamisë pritet të zgjasë rreth tri vite nga koha e fillimit të tij.

Lajme të përafërta

Kurrë mos u pendoni për mirësinë tuaj

TV OPOJA
October 27, 2018

Mesazh për Ramazan i Hoxhë Driton Salihu-t Imam në Xhamin e Bardhë të Suharekës!

TV OPOJA
May 5, 2019

Letër nga Nëna jote e gjorë

TV OPOJA
November 16, 2018
Exit mobile version