TV OPOJA
Aktualitet

Apel për qytetarët e Komunës së Dragashit për kujdes të shtuar në trajtimin e zjarrit

Komuna e Dragashit, Drejtoria për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike, apelon dhe kërkon nga të gjithë qytetarët e komunës sonë që të kujdesen, por edhe të jenë aktivë në parandalimin e çdo lloj zjarri e sidomos zjarrvënies, që shpeshherë ndodhë në komunën tonë.
Tashmë kemi hyrë në stinën e verës ku priten temperatura të larta, të cilat shtojnë rrezikun e shfaqjes dhe përhapjes së shpejtë të zjarreve në zona të hapura, malore dhe fushore.
Për të shmangur rrezikun nga zjarri, si dhe për të mbrojtur mjedisin, pronën dhe jetën e qytetarëve, apelojmë që zjarri të trajtohet me shumë kujdes, veçanërisht në ambiente të jashtme, për të shmangur të gjitha shkaqet e mundshme të zjarrit. Mos ndizni zjarr në natyrë pa përgatitje paraprake, pra pa siguruar zonën ku është planifikuar të ndizet zjarri, qoftë për djegien e barit dhe bimëve të thata apo ndezjen e zgarës në pikniqe.
Në kushtet e verës mjafton pak pakujdesi që zjarri të shpërthejë dhe të përhapet shpejt e të dalë jashtë kontrollit.
Ekskursionistët që planifikojnë pikniqe në natyrë, duhet të kenë kujdes që të mos e bëjnë këtë pranë pyjeve, pikave të karburantit dhe në çdo vend ku ka rrezik të lartë për përhapjen e zjarrit.
Nëse vjen deri tek përhapja e zjarrit, mos u largoni nga vendi, gjë që përbën shkelje dhe rrezikon më tej mjedisin, por përkundrazi, telefononi drejtpërdrejt shërbimin e zjarrfikësave, të cilët do të intervenojnë në kohën sa më të shkurtër të mundëshme.
Prandaj, apelojmë tek të gjithë qytetarët që të mos ndezin zjarre në vende të paautorizuara, në vende ku ka rrezik përhapjeje dhe të mos e lënë zjarrin pa mbikëqyrje deri në shuarjen e plotë të tij sepse në të kundërtën do të përballen me sanksione ligjore për ndezjen e zjarrit, rrezikimin e pronës dhe jetën njerëzore.

Numrat për të thirrur në rast zjarri:
– 044 615 033 Njësia e zjarrfikësve në Dragash – 112 Qendra Operative Emergjente në Prizren (ky numër thirret pa kod zonë)
Mund të telefononi edhe në numrat e mëposhtëm:
– 192 Policia e Kosovës, – 194 Ndihma e shpejtë.
Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj.

Lajme të përafërta

Si i mbeti emri fshatit ‘Rrenc’ kjo është arsyeja!

TV OPOJA
September 3, 2020

Dy shkolla nga komuna e Dragashit në finalën e garës se Robotikës

TV OPOJA
September 16, 2023

ALAJDIN XHEZAIRI: MILITANTI I UÇK-së

TV OPOJA
September 9, 2018
Exit mobile version