TV OPOJA
Personazhe

31 vite nga vrasja e Vahidin Hajrizit në armatën popullore të Jogusllavisë

ME RASTIN E 31 VJETORIT TË VRASJES NË ARMATËN POPULLORE TË JUGOSLLAVISË (APJ)

Përkujtojmë:

“DËSHMORIN E KOMBIT”

Vahidin (Xhimshid) Hajrizi nga Kuklibegu:

Vahidin Hajrizi u lind më: 22. 10. 1969 në Kuklibeg. Shkollën fillore e kreu në Bresanë, kurse të mesmen e vazhdoi në Dragash, në gjimnazin “Emin Duraku”.
Gjatë kohës së grevës të minatorëve në Trepçë, e që u patën solidarizuar shumë qytetarë të Kosovës me ta, në vitet 1988-89, edhe nxënësit e gjimnazit “Emin Duraku” të Dragashit vendosën që të solidarizohen me minatorët e Trepçës. Minatorët nuk po protestonin për interesa të veta personale, por e kishin ngritur zërin për interesin e përgjithshëm, kundër të keqes së madhe që po i kanosej Kosovës.
Protestat e demonstratat kishin marrë hov në tërë Kosovën. Madje edhe nëpër shkolla fillore.
Në një nga klasët që po protestonin në gjimnazin e Dragashit, ishte edhe nxënësi i shkëlqyer Vahidin Hajrizi. Ky së bashku me disa shokë të tij të klasës ishin më të zëshëm në këtë drejtim, organizonin dhe mbanin protesta edhe në shkollën fillore të Bresanës. Pushteti i atëhershëm dhe shërbëtorët e tij mblidhnin shënime për çdo gjë.
Vahidini si nxënës i shkollës së mesme, ishte shumë aktiv, sidomos nga ngjarjet e shkurtit të vitit 1989, për ç’arsye disa herë u mor në pyetje e u maltretua. Ishte ndër organizatorët kryesor të nxënësve të gjimnazit në këto ngjarje. Kështu ai kishte rënë në sy të agjentëve të UDB-së. Pasi u mor disa herë në pyetje, u përjashtua nga shkolla. Kësisoj nuk arriti të regjistrohet në fakultet. Ndërkohë, i ishte bërë ftesa për të shkuar në shërbimin ushtarak – APJ, në Sombor, e pastaj në Divulje të Splitit. Gjatë shërbimit të tij në ushtri, si pasojë e karakteristikave që ia kishin dërguar, kishin filluar ta marrin në pyetje vazhdimisht. Për fat të keq, më: 26. 04. 1990 është vrarë, ndërsa në dokumente e kanë përshkruar diagnozën e tij kinse: “Mors suspensi violenti” (Vdekje e dhunshme varje). Me këtë ushtria kriminale jugosllave, thoshte se ai e kishte varur veten, por duke i patur parasysh karakteristikat e tij, veprimtarinë e tij, marrjen e vazhdueshme dhe presionin që i bëhej në biseda informative, si dhe faktin se shumë ushtarë shqiptarë gjatë shërbimit të tyre në APJ ishin sjellë me arkivole nëpër vendlindjet e tyre, është e qartë se është fjala për likuidimin e tij klasik. Çdo arsyetim në këtë drejtim është tentim i zbehtë për t’i mbuluar gjurmët e krimit.
Vahidini u soll me arkivol në vendlindjen e tij. Në ceremoninë e varrimit të tij morën pjesë numër i madh qytetarësh.
Më 12. 04. 2017, nga institucionet e Republikës së Kosovës, Vahidin Hajrizi u shpall:

“DËSHMOR I KOMBIT”.

(Shumica e tekstit është marrë nga Bedri Halimi, ndërsa fotot nga faqja Kuklibegu)


P.S. Me rastin e 15 qershorit, Ditës së Çlirimit të komunës së Dragashit (Sharrit), më: 15. 06. 2021, planifikohet të bëhet edhe zbulimi i pllakës përkujtimore të dëshmorit Vahidin Hajrizi.

Lajme të përafërta

Profesoresha Manjola Brahaj sjell botimin e katërt me poezi!

TV OPOJA
October 18, 2020

Kush ishte infermieri i parë nga Bresana e Dragashit?

TV OPOJA
April 23, 2021

Opojës i shtohet edhe një doktor i ri i shkencave!

TV OPOJA
October 13, 2021
Exit mobile version