TV OPOJA
Kosova

Zgjedhjet e parakohshme “varfërojnë” buxhetin për disa milionë euro

Zgjedhjet në Kosovë janë mbajtur para më shumë se një viti, por kjo nuk është një tregues se ato nuk mund të bahen së shpejti. Kjo pasi që partitë opozitare dhe jo vetëm, tashmë kanë dal në terren duke dhënë përshtypjen e një fushate parazgjedhore.

E organizimi i zgjedhjeve të reja, pritet që jo vetëm në aspektin politik por edhe atë ekonomik të dëmtojnë Kosovën, pasi që ato kërkojnë investime të mëdha. Edita Mustafa nga Instituti Demokratik i Kosovës në një prononcim për Indeksonline, ka thënë se organizimi i zgjedhjeve të parakohshme përbënë ngarkesë për buxhetin e shtetit.

“Secili cikël zgjedhor i organizuar jashtë kalendarit të rregullt të zgjedhjeve përbënë ngarkesë financiare për buxhetin e shtetit” është shprehur ajo.

Sipas saj, organizimi më i mirë i zgjedhjeve është i pamundur për shkak se në Kosova vazhdimisht përballet me zgjedhje të parakohshme.

“Gjithnjë ka vend për të bërë planifikim më të mirë të kostos së organizimit të zgjedhjeve, por kjo është e pamundur nëse vendi vazhdimisht përballet me zgjedhje të parakohshme. Kostoja e zgjedhjeve edhe mund të rritet psh nëse disa procese digjitalizohen ose vendoset për aplikimin e teknologjisë informative më të re” ka thënë Mustafa.

Kurse, sa i përket shumës për organizimin e zgjedhjeve Edita Mustafa është shprehur se bazuar në vitet e kaluara për zgjedhje janë shpenzuar mbi 6 milionë euro. “Kostoja për organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale, duke iu referuar raporteve të KQZ-së për 2013 dhe 2014 ishte mbi 6 milionë euro” ka përfunduar, Edita Mustafa nga KDI.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për Indeksonline ka treguar se shpenzimet e zgjedhjeve për vetëm një votues të Kosovës arrijnë shumën prej 3.71 euro. Sipas tij, shpenzimet e zgjedhjeve në vitin 2009 kanë arritur në 6,131,309 euro, për t’u zbritur kostoja për pak në vitin 2013, ku janë shpenzuar 5,834,037 euro dhe për tu rritur në vitin 2017 në 7,018,757 euro.

“Këto shpenzime kanë të bëjnë me pagesat e stafit të angazhuar në procesin zgjedhor (anëtarë të KVV-ve, komisioneve komunale zgjedhore, stafit për numërim ne QNR, stafit për K-Vote, stafit të përkohshëm, trajnerët), me materialet zgjedhore (fletëvotimet dhe broshurat, listat përfundimtare të votuesve, format dhe formularët e zgjedhjeve, UV llamba dhe UV sprej) dhe furnizime e shërbime tjera” është shprehur Elezi. Sipas tij në këto shuma përfshihen edhe aktivitete tjera si informimi publik, transporti i materialit zgjedhor, lista e votueseve dhe shpenzime të tjera.

“Po ashtu, këtu janë të përfshira të gjitha shpenzimet si dhe aktivitetet tjera që janë të lidhura me procesin zgjedhor si: informimi publik, transporti i materialit zgjedhor, lista votuese, shpenzimet për investime kapitale, qiraja për depo etj” ka përfunduar ai.

Rikujtojmë, që në Kosovë asnjë legjislaturë nuk ka arritur që të përfundojë mandatin e saj kushtetues katër vjeçar, duke bërë që mandatet të zgjedhin më së shumti deri në dy vjet e gjysmë. Si pasojë e kësaj mos qëndrueshmërie politike, vendi vazhdimisht ka pasur barrën e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme.

Lajme të përafërta

Mbahën garat e fizikanëve të rinj në Dragash (Video, Foto)

TV OPOJA
January 18, 2020

Hatim Baxhaku: Njerëzit e Kurtit në mesnatë deshën të ma ndërronin mendjen kundër Qeverisë Hoti

TV OPOJA
June 23, 2020

Prizren, djali rrah nënën

TV OPOJA
April 29, 2021
Exit mobile version