TV OPOJA
Shëndetësi

Zemaj jep lajmin se 1500 specializantë do t’i bashkohen institucioneve shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka njoftuar se 1500 specializantë do t’i bashkohen institucioneve shëndetësore në vend.

Në një konferencë për media bashkë me Bordin për Shkollim Specialistik, Zemaj deklaroi se me krijimin e kësaj hapësire për specializantët po tregohet përkushtim për ruajtjen e dinjitetit të mjekëve të rinj.

“Unë jam sot bashkë me Bordin për Shkollim Specialistik dhe disa profesionistë shëndetësorë që kanë pasë interesimin e madh në objektivat dhe angazhimet e Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e profesionistëve të rinj shëndetësorë dhe dhënies së hapësirës të procesit të ri të specializimeve duke shpallur konkursin prej 1034 vendeve. E plotësuam edhe me 70 vende për vëllezërit dhe motrat tona nga Lugina e Preshevës”.

“Sot deshëm që t’iu njoftonim me planin dhe dinamikën e re që e kemi zhvilluar dhe hapësirën e krijuar nga Bordi për Shkollim Specialistik. Vlerësimi ynë i përbashkët duke marrë për bazë nevojat elementare që kanë mjekët e rinj që t’i përfshijmë të gjithë në procesin e specializimit është kërkesa e re për të shtuar vende duke përfshirë pothuajse të gjitha aplikantët që kanë aplikuar dhe plotësojnë kushtet dhe kriteret, sipas legjislacionit në fuqi”.

“Sot donim ta jepnim lajmin që Kosova, institucionet e saj dhe Ministria e Shëndetësisë do të shtojë këtë numër dhe përafërsisht 1500 specializantë do t’i bashkëngjiten kolegëve të tyre në institucionet tona shëndetësore në të gjitha nivelet, duke mbuluar nevojat imediate të cilat jo vetëm që kanë dalë në pah në pandemi, por kështu po tregojmë edhe përkushtimin tonë për ta ruajtur dinjitetin e mjekëve të rinj, si dhe të mos kemi ikje të mjekëve që me mundin dhe sakrificën e prindërve të tyre janë shkolluar dhe janë angazhuar”.

I pari i shëndetësisë ka thënë se me ndryshimet e reja legjislative po kalohet në një fazë tjetër të përfshirjes së specializantëve të rinj, njofton Klan Kosova.

“Përkushtimi i Qeverisë së Kosovës është që asnjë mjek të mos jetë jashtë institucioneve publike. Në aspektin e ngritjes së kapaciteteve humane po ecim me dinamikë të shtuar dhe të domosdoshme që ndihmon në ruajtjen e shëndetit publik dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore”.

Zemaj ka njoftuar se specializantët janë në proces të konkurrimit, derisa vlerësimi po bëhet nga Bordi për Shkollim Specialistik.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe kryeministri Avdullah Hoti, por siç tha Zemaj, ai nuk ka dalë në konferencë për media – ashtu siç u paralajmërua – për shkak të angazhimeve të tjera.

Ministri i Shëndetësisë ka folur edhe për situatën me pandeminë në vend duke thënë se pavarësisht rënies së numrit të të infektuarve dhe vdekjeve nga COVID-19 nuk duhet të anashkalohen masat për mbrojtje.

“Jemi në një situatë të mirë dhe stabile, por nuk do të thotë që ky lehtësim duhet të kalojë në anashkalim të masave dhe mbikëqyrje të zbatimit të masave. Kjo kohë dhe presioni që ishte i tepërt tash po na jep mundësi që të përgatitemi në infrastrukturë dhe kapacitetet humane, por mbi të gjitha përgatitja për testime dhe barëra”.

Lajme të përafërta

Infermieri Fitim Karimani ka reaguar ndaj Ministrit Armend Zemaj

TV OPOJA
November 18, 2020

IPKO – Stacionet Agrare tregojnë për kushtet e mbjelljes së grurit

TV OPOJA
November 12, 2018

Vijnë në jetë 20 fëmijë në Prizren

TV OPOJA
April 23, 2021
Exit mobile version