Në një reagim të publikuar në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje! nga dega e saj në Sharr, kërkohet që të shkarkohet nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit komunal në Sharr, zotëri Seljman Osmani, pasi që sipas tyre ky i fundit bën pjesë në strukturat e sistemit paralel të Serbisë në Kosovë.
Ata kanë publikuar edhe fotografi ku shihet se i njëjti ka shpërndarë postime të Marko Gjuriq. raporton Tv Opoja.
Reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje ne Facebook:
Të shkarkohet Seljman Osmani nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit Komunal në Sharr
Si Qendër e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Sharr, kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Seljman Osmanit nga pozita e nënkryetarit të kuvendit komunal në Sharr. Habitemi me faktin se si është e mundur që i lartcekuri të jetë zgjedhur në këtë pozitë, kur ai është përkrahës, e qe besa edhe pjestar i sistemit paralel serb, i cili funksionon përmes strukturave paralele, pjesë e të cilave është edhe aktualisht Seljman Osmani.
Në fotografitë e mëposhtme, marrë nga profili personal i Seljman Osmani-t, shihet mbështetja e tij për Marko Gjuriqi-n (që është kryetar i të ashtuquajturës “zyrës serbe në Kosovë”) duke shpërndarë një shkrim të tij në rrjetin social facebook. Po në të njëjtin postim, Kosovës i referohet si “Kosova Metohija”, pra si pjesë e Serbisë.
Nga informatat që posedojmë, thuhet se Seljman Osmani është edhe ushtrues detyre i kryetarit të komunës së strukturave paralele të cilat funksionojnë në fshatin Vraniç.
Po z.Osmani, ju nga kush paguheni për punën tuaj, cilit shtet i përkisni?!
Ne si Qendër e VETËVENDOSJE!-s, përmes asambleistit tonë në kuvendin komunal, do të inicojmë një seancë të jashtëzakonshme për të kërkuar shkarkimin e tij nga pozita e cila iu delegua nga partitë në pushtet.
Kush do ta mendonte që 20 vite pas luftës çlirimtare të Kosovës, në pozita udhëheqëse të saj do të vinin persona që luftuan e ende luftojnë pavarësinë e integritetin territorial të Republikës. Ç’është më e keqja, kush do ta mendonte që këta persona do të bashkëpunojnë e bashkëudhëheqin, pikërisht me ata që u thirrën në emër të luftës.
#OsmaniJashtë
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Sharr,
24 qershor, 2019