Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka qëndruar për vizitë në Komunën e Dragashit, ku ka vizituar disa projekte të mëdha infrastrukturore e turistike që po përmbyllen nga qeverisja lokale.
Ai ka vizituar rrugën e porsa asfaltuar që lidh këtë pjesë të Dragashit, me njërën nga zonat me potencial turistik në brezin kufitar, prej Gurit të Zi drejt Tetovës.
Veseli ka kujtuar me nostalgji vitet 90-ta, se si këto rrugë që dikur i ka kaluar me shumë shokë për çlirimin e vendit, sot, po kthehen në rrugë zhvillimi e turizmi.
“Kryetarin Shaban Shabani e përgëzoj për korrektësinë, për një punë të ndershme, për një punë jashtëzakonisht të suksesshme si kryetar i Komunës së Dragashit.
Nga Autostrada e Kombit po lidhet shumë shpejt edhe Dragashi, që do të bëhet një urë lidhëse edhe me Maqedoninë e Veriut.
Do të dalim në Tetovë. Ky projeksion i rrugës ka dimension të shumanshëm të zhvillimit të Komunës së Dragashit. Nuk është vetëm për komunikim ndërmjet vendbanimeve, pasi kjo pjesë është zonë turistike. Projekti i kryetarit Shabani është që të vazhdohet me pistat e skijimit. Do të vazhdojmë me investime edhe në pjesë të tjera sa i përket promovimit si zona turistike, zhvillimin e blegtorisë dhe ekonomisë.
Që njerëzit të mos largohen nga kjo pjesë e cila është jashtëzakonisht e bukur. Jam i lumtur që ky projekt ka pasur të përfundoj vitin e ardhshëm, por puna e kryetarit Shabani ka bërë që këto punime të përfundojnë një vit më herët.
E përgëzoj edhe njëherë kryetarin, e falënderoj dhe ta gëzoni të gjithë qytetarët, e sidomos edhe fshatin Zaplluxhë. Ftoj qytetarët e Kosovës ta vizitojnë këtë pjesë që është si mrekulli e natyrës. I përshëndes edhe bashkëqytetarët në pjesën e Tetovës.
Këtu kemi kaluar në vitet 90-ta për qëllime kombëtare. Vet e kam kaluar këtë pjesë në këmbë pikërisht në vitin 1993, së bashku me Nait Hasanin. Sot po bëhet pjesë turistike. Dikur rrugë kombëtare për çlirimin e vendit, kurse sot rrugë turistike.
Urime të gjithëve. Do të vazhdojmë edhe me projekte të tjera”, ka thënë Kryetari Veseli.Kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani ka falënderuar kryetarin Veseli për vizitën dhe mbështetjen.Sipas tij, fal qeverisjes së suksesshme të PDK-së, Dragashi nga një zonë e izoluar po kthehet në nyje lidhëse turizmi e qarkullimi edhe me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.
“Në fakt është kryer asfaltimi i rrugës që lidh fshatin Zaplluxhë me një pjesë turistike. Kjo rrugë ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe jo vetëm për këtë lokalitet por përgjithësisht për Komunën e Dragashit.
Ne po e përmbushim një zotim që ka dal nga plani zhvillimor komunal për krijimin e kushteve sa më të mira për pikat turistike siç janë Zaplluxha, Brodi, Liqeni i Breznës e Restelica. Sot ishte një ditë e veçantë pas vizitës që Kryetari Veseli i ka bërë degës së PDK-së, por edhe këtyre punimeve pasi që ka qenë edhe një zotim i tij dhe i joni para qytetarëve.
Kjo do të lidhet edhe me pjesën magjistrale të zgjerimit të rrugës nga Zhuri për në Dragash. Pra, po përmbyllen vijat e trasha të infrastrukturës së komunës së Dragashit. Kjo do të lehtësoj shumë jo vetëm lëvizjen e qytetarëve, por edhe zhvillimin e turizmit në këtë zonë.
Kjo rrugë është parakusht për lidhje me Maqedoninë e Veriut. Ne kemi një pikë kufitare me Shqipërinë por po punojmë në asfaltimin e rrugës që lidh Restelicën me Komunën e Mavrovës.” ka thënë kryetari Shabani