TV OPOJA
Shëndetësi

Ujëvarat e Mirushës, mrekulli natyrore e Kosovës ku mund të freskoheni gjatë kësaj vere (Foto/Video)

Ujëvarat e Mirushës, të cilat gjenden në fshatin Llapçevë të Komunës së Malishevës, janë të shpallura nga Qeveria e Kosovës si Monument i Natyrës me Rëndësi të Veçantë – mjafton t’i vizitoni vetëm një herë dhe do ta shihni se përse mrekullia e tyre është e rëndësisë së veçantë.

Në këtë vend krijohen gjithsej 12 ujëvara dhe 16 liqene, të cilat janë fenomen i rrallë morfo-hidrologjik.

Nga qendra e Prishtinës, rreth 60 kilometra (rreth 1 orë rrugë) gjenden larg këto Ujëvara, mrekullia e të cilave e lë gojëhapur çdo person, shkruan Telegrafi.

Megjithëse një pjesë e vogël e kilometrave të fundit nuk është e shtruar me asfalt, prapëseprapë është një rrugë e cila është lehtë e përshkueshme me veturë.

Ata që i vizitojnë për herë të parë Ujëvarat, qysh në momentet e para magjepsen kur përballen me rrjedhën e fundit të Mirushës, në të cilën formohet liqeni i 16-të dhe e cila është më e vizituara nga të gjithat. Ky liqen ka një thellësi mbi 5 metra dhe një sipërfaqe prej 2250 metrave katrorë.

Këtu gjenden dy lokale modeste të cilat kryesisht shërbejnë pije dhe ofrojnë hapësira që vizitorët të ulen dhe të mahniten me pamjen piktoreske.

Por, bukuria e nuk ndalet aty – ata të cilët duan ta shohin bukurinë e vërtetë të ujëvarave duhet të ngjiten në shtigjet të cilat të dërgojnë drejt ujëvarave dhe liqeneve tjera.

Në ujëvarën tjetër mund të shkohet shumë lehtë me aftësi fillestare të ngjitjes dhe ecjes. Një karakteristikë interesante është se po nga kjo ujëvarë, personat e guximshëm të cilët jetojnë për adrenalinë kërcejnë në rrjedhën e fundit (një lartësi prej përafërsisht 14 metrave).

Ecja nëpër shtigjet që ngjasojnë me ato të pyjeve dhe ngjitja në gurë ju mundësojnë t’i vizitoni shumicën e liqeneve dhe ujëvarave që formohet në këtë vend përrallor.

Secili liqen dhe secila ujëvarë është më e mrekullueshme se tjetra, ndërkaq ju mund t’i shijoni duke u freskuar me not në ujin e tyre.

Sidoqoftë, adrenalina e madhe fillon në shtigjet të cilat janë më të vështira për fillestarët.

Këto shtigje janë edhe më të rrezikshme, sepse forca juaj për t’u mbajtur në kabllon ndihmëse dhe shkathtësitë e përpikta të ecjes janë ato që ju shmangin nga rrëshqitja poshtë gurëve ku lehtësisht mund të lëndoheni rëndë apo edhe ta humbni jetën.

Nëse nuk jeni mësuar me adrenalinë të lartësisë dhe ngjitjes, padyshim se do të mbusheni djersë dhe zemra do t’ju rrah më shpejt. Por, posa të arrini në ujëvarat dhe liqenet e sipërme, për një moment do të mbeteni gojëhapur nga bukuria natyrore që ju pret.

Liqenet dhe ujëvarat e sipërme zakonisht nuk janë të mbushura me njerëz, sepse një pjesë jo e madhe e njerëzve arrijnë ta marrin guximin për t’u ngjitur deri aty.

Të notosh në këtë vend patjetër se është një ndjenjë e papërshkrueshme e cila ju sjell vetëm kënaqësi dhe freski – mënyrë e përsosur për ta kaluar vikendin.

Vlen të ceket se, pavarësisht bukurisë dhe rëndësisë që e kanë këto Ujëvara, ka ende njerëz të papërgjegjshëm të cilët lënë prapa bërllokun e tyre dhe ia dëmtojnë pamjen kësaj mrekullie natyrore të Kosovës. /Telegrafi/

Lajme të përafërta

Ndërron jetë një person në spitalin e Prizrenit, familjarët fajësojnë mjekët

TV OPOJA
February 1, 2022

IPKO – Stacionet Agrare tregojnë për kushtet e mbjelljes së grurit

TV OPOJA
November 12, 2018

Prindërit ngurrojnë t’i vaksinojnë fëmijët

TV OPOJA
November 24, 2021
Exit mobile version