TV OPOJA
Aktualitet

U largua nga kjo botë edhe një studiues i foklorit të trevës së Opojës. Prof. Dr. Nuhi vinca (1932-2024)

Në Prishtinë, në moshën 92 vjeçare, ka ndërruar jetë poeti, përkthyesi, studiuesi i folklorit, ish-punonjësi shumëvjeçar i Instituti Albanologjik Prof. dr. Nuhi Vinca.

I ndjeri, nga vitit 1955 ka punuar si mësues e profesor gjimnazi në Strugë, Kaçanik, Ferizaj etj. Nga viti 1977 e deri në pensionim më 1991, ka punuar si punonjës shkencor në Degën e Folklorit në Institutit Albanologjik në Prishtinë.

Profesori, kishte një simpati të veçantë për opojanët dhe trevën e Opojës. Këtë simpati, nuk hezitonte ta shprehte sa herë që takonte ndonjë opojan.
– Po, kam qenë në Opojë -thoshte Profesori. Opojanët janë njerëz të mirë dhe mikpritës. I mbaj në mend, disa këngë që i kam mbledhur në atë trevë: “Gu gu gu po bon gugaçi, gyrbetçari po vjen ka Blaçi”, “Ku ke more djalë, he biri i Fizos, meta tu t’prit gjeth diton të Guri Strenicës (vend në fshatin Shajne N. A)” etj.

Këtë bindje për Opojën dhe opojanët, Profesori e kishte fituar, dy vite pasi kishte filluar punën në Institutin Albanologjik, sepse më 1979, se bashku me një grup studiuesish nga Tirana, kishte shkuar në ekspeditë hulumtuese në Opojë. Mikpritja që kishte hasur Profesori nga banorët e kësaj ane gjatë kësaj ekspedite, do t’i mbetej në kujtesë. Si rezultat i kësaj ekspedite hulumtuese në këtë trevë, Profesori më 1979, në një konferencë shkencore, që do të organizohet nga Instituti Albanologjik, do të paraqitet me kumtesën: “Gjurmë të lashtësisë pagane në lirikën popullore të Strugës dhe të Opojës”, i cili punim do të botohet në përmbledhjen me titull: “Trashëgimia dhe transformimi i kulturës popullore”, në vitin 1983. Në këtë punim, Profesori Vinca, duke bëre krahasime në mes të këngëve popullore të Strugës dhe Opojës, vlerëson lartë aspektet estetike të këngëve popullore të këtyre dy vendeve. Sipas tij “cikli i këngëve të Opojës dhe të Strugës që më vlerat e tyre estetike do t’i përballojnë shumë kritere estetësh e studiuesish të ndryshëm”- shprehet në fund të punimit tij hulumtues Prof. Vinca.

Në vitin 2012, në të përditshmen “Kosova sot”, në shenjë respekti për opojanët, Profesori do ta botojë një poezi me titull: “Opojani”, të cilën po e sjellim si me poshtë:

OPOJANI
“Ua di të gjitha të fshehtat
Të njëqind viteve të vetmisë
Rrugëve të gjatë të kurbetit
Udhëve të rënda të mërgimit
Por një gjë s’e dikton fare:
Si shndërrohet kurbeti në mërgim
E si të tret mërgimi në harrim
I di të njëqind koret e thata të urisë
Pa dado që mbajnë ditar skaj të shamisë
Kur bohçet e këmishët u mbesin pa ushtuar
Kur bredh malli rrugëve të ndarjes
Guri i zi plas nga lava përvëluese
e ofsharjes.
Opojani i njeh të gjitha të fshehtat
E një qind viteve të vetmisë
Rrugëve të gjata të ndarjes…..”

Profesor Vinca, me punën dhe respektin që ka treguar për Opojën dhe opojanët, i ka bërë vend të veçantë vetës në këtë trevë dhe gëzon respekt të jashtëzakonshëm, sidomos nga ata që e kanë njohur nga afër dhe kanë pasur rastin të bashkëpunojnë me të.
Qoftë i parajsës!

Prishtinë, më 11. 7. 2024
Nuridin Ahmeti

Lajme të përafërta

Këto janë rregullat që duhet t’i ndjekin votuesit për rivotimin në Dragash

TV OPOJA
November 29, 2021

Verifikimi i votave me post është dashtë të ndodh edhe para katër vitesh!

TV OPOJA
November 25, 2021

Duke luajtur me armë gjuetie në shtëpi, plagoset një i mitur në Dragash

TV OPOJA
July 5, 2021
Exit mobile version