Autor: Fatmir Halili
Përveç sfidave ekonomike e sociale të cilat e kanë përshkuar Kosovën gjatë këtyre dy dekadave të pasluftës, fuqizimi i demokracisë dhe shteti ligjor, ngelën ndër sfidat kryesore, dhe njëherit çelës për zhvillimin e vendit. Mund të dallojmë dy arsye kryesore që kanë pasur ndikim direkt në jetën ekonomike e sociale dhe në sundimin e ligjit dhe fuqizimin e demokracisë. E para, okupimi shumëvjeqar nuk ka dyshim që ka lënë pasoja të shumta dhe në çdo aspekt të jetës shoqëroro ekonomike, dhe në veçanti në zhvillimin arsimor e kulturorë të shoqërisë kosovare.
E dyta, politikat e dobëta të shtetndërtimit kanë bërë të zgjatet tranzicioni dhe status quoja në vend.
Sa i përket pasojave të okupimit shumëvjeqar, janë rrethanat historike që kanë qenë në disfavor të shqiptarëve, për të cilat jemi koshient të gjithë.
Mirëpo, ajo që ngelet të gjykohet, janë dy dekadat e pasluftës, kohë, për të cilën fund e krye fajtorë jemi vet. Vendosja e rendit dhe ligjit, si njëra ndër komponentet themelore për funksionimin e demokracisë, kanë qenë në tërësi në duart tona, e në veçanti pas 17 shkurtit 2008, kur Kosova bëhet shtet i pavarur.
Sundimi i rendit dhe ligjit, siç duket u ka konvenuar disa prej strukturave të caktuara brenda dhe jashtë politikës, dhe po ashtu, në mënyrë të posaçme politikës serbe, e cila ka ngelur në mendësinë e viteve të 90-ta, duke punuar vazhdimisht për të shkaktuar probleme brenda Kosovës, dhe për të paraqitur si shtet jofunksional.
Ajo që duhet gjykuar, nuk është politika serbe me këtë rast, prej të cilës nuk mund të presim diç tjetër, por politikat tona qeveritare që kanë mundësuar krijimin e një terreni të plleshëm për ndikim të politikës serbe në Kosovë. Kësaj gjendje, jo pak i ka kontribuar edhe qasja e administratës së UNMIK-ut për vite me radhë, si dhe sjellja përkëdhelëse e bashkësisë ndërkombëtare ndaj serbisë.
Mungesa e sundimit të rendit dhe ligjit, u ka dhënë mundësi zhvillimit të grupeve të ndryshme kriminale, në veçanti në veriun e Kosovës ku ende mungon shtrirja e sovranitetit të plotë të shtetit.
Veç tjerash, sundimi i rendit dhe ligjit, si dhe luftimi i korrupsionit, ngelën ndër kushtet e fundit që Bashkimi Evropian i kërkon Kosovës.
Pas më shumë se një dekade të shtetësisë, është momenti që politika kosovare të ndryshoj qasjen e vet. Para së gjithash ndaj politikës serbe në dialogun që pritet të zhvillohet, dhe pastaj, ndaj qeverisjes së vendit. Përderisa nuk vendosim sundimin e rendit dhe ligjit, problemet do të jenë prezente edhe në sferat e tjera të jetës ekonomike e sociale.