Butësia dhe sjellja intelektuale po na shkakton probleme, shoqëria jonë është përgatitur që sjelljet e dobëta dhe arroganca, të jenë më të pranueshme se sa mirësjellje!
Politikës tonë po i përshtatet gjendja momentale e shoqërisë. Intelektualët e mirëfilltë nuk nënshtrohen lehtë, intelektualët e mirëfilltë u qëndrojnë besnik parimeve njerëzore dhe vlerave intelektuale, prandaj, pjesmarrja e një intelektuali në politikën kosovare (si edhe në vendet e tjera të Ballkanit perëndimor) është e ngarkuar me mjaft sfida, sepse politika kosovare këto njëzet vite ka treguar se është larg nga parimet morale!
Politikëbërja analfabete, e ka të vështirë të punoj me intelektual, me njerëz që me vite kanë lexuar libra dhe janë pajisur me dije, duke u brumosur me ide të drejtësisë, lirisë, dhe vlerave njerëzore.
Prandaj, jo rastësisht politika jonë është kripur nga analfabetë funksional. Të tillët, janë në gjendje që për pakë pushtet dhe para të shesin edhe dinjitetin e tyre dhe të familjes së tyre, të tillët, janë lehtë të nënshtruar dhe lehtë të mashtruar, të tillët nuk mërzitën për ndërgjegjen dhe sjelljen e tyre banale që e bëjnë në publik.
Jo rastësisht, dyshimet për një të ardhme më të mirë, kanë humbur tek shumica e të rinjëve të shoqërisë tonë. Primati që u jepet analfabetëve funksional, njerëzve pa asnjë bagazh akademik, njerëzve që u mungonë sjellja intelektuale e njerëzore, ka zhgënjyer njerëzit më të mirë, shkollarët më të mirë që ka shoqëria jonë.
Për më keq, reagimi intelektual ndaj padrejtësve, reagimi intelektual ndaj avansimeve të padrejta, të gjenë para dyerve të hakmarrjes së paskrupullt të politikës. Kjo qasje e politikës, që ka sjellë klasën intelektuale në një gjendje të nënshtrimit, në një gjendje të presionit psikologjik, ka ndikuar në varfërimin e politikës nga intelektualët, e për rrjedhojë edhe nga idetë dhe programet zhvillimore për vendin.
Kjo tregon, se sa e rëndë është pjesëmarrja në politikë e një intelektuali, kjo tregon se sa e vështirë është lufta ndaj padrejtësive shoqërore, dhe se çfarë të pret nëse e thua të drejtën dhe të vërtetën. Por, kjo tregon edhe atë, se sa e rëndësishme është që klasa intelektuale të bëhet pjesë e politikës.
Partitë politike në përgjithësi kanë gjendjen e njëjtë, primati që u jepet njerëzve të caktuar dhe avansimet e padrejta të kuadrove mbetën ndër problemet më serioze, të cilat kanë ndikuar që reformimi i partive të jetë shumë i vështirë. Përderisa vazhdojmë këtë trend të zhvillimeve politike dhe shoqërore, përderisa u japim primat dhe i vendosim në pozita njerëzit e pavlerë dhe të padijshëm, nuk mund të presim ndryshime për të mirë të qytetarit dhe shtetit.
Duhet të kuptojmë një herë e mirë, pa parti politike normale, nuk mund ta kemi as qeverisjen e as shtetin normal.